Gjykata Speciale

Dëshmitari i dytë në rastin e Thaçit dhe të tjerëve flet për organizimin e LDK-së në vitet ’90


Dëshmitari

Ka nisur dëgjimi i dëshmitarit të dytë të Prokurorisë së Specializuar ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi. Dëshmitari bëri betimin se do ta thotë të vërtetën para trupit gjykues, derisa u njoftua se dëshmia do të zgjasë pesë ditë.

Gjatë dhënies së dëshmisë, dëshmitari tha se ka qenë dhe vazhdon të jetë anëtar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, teksa ka folur për organizimin dhe strukturën e kësaj partie në vitet 1990, specifikisht në komunën e Malishevës.

“Synimi i LDK-së ka qenë kundërshtimi i sistemit e ish-Jugosllavisë. Ka fillu jetësimin e shtetit të pavarur të Kosovës. Ka punuar dhe vepruar për pavarësinë e Kosovës dhe lirinë e saj të udhëhequr nga presidenti Rugova dhe institucionet e saj të asaj kohe”.

“Nënkryetarë e LDK-së, sekretarët dhe anëtarët e kryesisë. Në kryesi kanë qenë 13 anëtarë, dy nga forumi i gruas dhe forumi rinor, gjithësej 15 anëtarë. Në Kuvendin e degës 110 delegatë”, tha dëshmitari duke folur për strukturën e organizimit të kësaj partie.

Për më tepër ai tha të ketë qenë pjesëstar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në atë kohë. “Në Kosovë ka ekzistuar edhe më herët Ministria e Mbrojtjes. UÇK-ja si formacion ka dalë pak më vonë, në vitin 1998. Prej fillimit kam qenë pjesëtar i saj”.

Zyra e Prokurorisë së Specializuar i ka kërkuar 7 orë kohë për ta intervistuar dëshmitarin, mbrojtja e viktimave 15 minuta dhe mbrojtja e të akuzuarve 12 orë. Me të nisur dëshmia, procesi kaloi në seancë të mbyllur.

Pranohet mocioni i mbrojtjes së Selimit kundër një pjese të dëshmisë së dëshmitarit të parë

Trupi gjykues në Dhomat e Specializuara, ka pranuar mocionin e mbrojtjes së Rexhep Selimit për mos pranimin si provë të një pjese të dëshmisë së dëshmitares së parë në çështjen ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Pranueshmëria e kësaj prove, sipas gjykatësit Charles Smith, do të mund të shkaktojë cenim të pa drejtë të të akuzuarve. I njëjti ka thënë se nuk lejohet që Zyra e Prokurorisë së Specializuar të bëjë pyetje për incidentet e përshkruara në paragrafin 3, 16 dhe 23 të materialit.

“Mbrojtja e Selimit ka paraqitur mocion dhe kundërshton dëshminë e dëshmitarit për dy incidente të pretenduara që kanë ndodhur jashtë periudhës kohore të aktakuzës. Ky informacion i dhënë është i paverifikueshëm. Trupi gjykues miraton mocionin e mbrojtjes së Selimit”, tha fillimisht gjykatësi Smith.

Ai tha se sa i takon dëshmisë së dëshmitarit, duhet redaktuar referencat lidhur me këto sulme nga çdo material që synojnë të paraqesin si prova. Ai sqaroi se do të trajtohet mocioni i mbrojtjes së Selimit për përjashtimin e provave dorëzuar më 6 prill.

‘‘Mbrojtja e Selimit kërkon që të përjashtohet dëshmia e dëshmitarit X, për provat që janë jashtë kuadrit kohor të ngjarjeve të paraqitura në aktakuzë’’, tha tutje gjykatësi Smith, duke shtuar se për këtë mocion, Zyra e Prokurorisë së Specializuar është përgjigjur me 12 prill.

Vazhdon gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve

Javën e kaluar ka filluar dëgjimi i dëshmitarëve. Për tri ditë është dëgjuara dëshmitarja e parë. Seancat kanë qenë të mbyllura për publikun. Këto seanca gjatë dhënies së dëshimisë nga dëshmitarët po mbahen të mbylluar për publikun.

Në njoftimin javor të Dhomave të Specializuara thuhej se të gjitha gjykimet janë publike, por gjykatësit në disa raste vendosin të kryejnë një pjesë të seancës në seanca private me qëllim të mbrojtjes së identitetit të dëshmitarit.

“Vendimi për t’i kryer seancat në seancë private për të mbrojtur dëshmitarët shqyrtohet me kujdes nga gjykatësit, rast pas rasti. Gjykatësit sigurohen që të ketë balancë midis nevojës për mbrojtje të dëshmitarëve dhe të drejtave të të akuzuarve”.

Gjyqi ndaj ish-eprorëve të UÇK-së, nisi të hënën e 3 prillit, pas më shumë se dy vjet nga konfirmimi i aktakuzës. Për tri ditë palët mbajtën deklaratat e tyre hyrëse për rastin e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

Me gjithë përpjekjet e Prokurorisë së Specializuar për të thënë se ky proces është ndaj individëve dhe jo ndaj UÇK-së, ajo demantohet me pikën 35 të aktakuzës – e cila i portretizon si anëtarë të “ndërmarrjes kriminale të përbashkët” pothuajse të gjithë udhëheqësit politikë dhe ushtarakë të UÇK-së.

Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore