Kosova

Raportuesja e OKB-së dënon sulmin ndaj Valon Sylës: Të ndiqen penalisht sulmet ndaj gazetarëve


Irene Khan

Raportuesja Speciale për Liri të Shprehjes e Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) për të drejtat e njeriut, Irene Khan, përmes një postimi në rrjetin social Twitter ka reaguar për sulmin fizik ndaj gazetarit Valon Syla.

“Ngjarje shqetësuese”, e konsideroi ajo sulmin ndaj gazetarit.

Ndërkaq, Khan i bëri thirrje autoriteteve të Kosovës “që të hetojnë dhe ndjekin penalisht të gjitha sulmet kundër gazetarëve me shpejtësi dhe në mënyrë efektive”.

Ndryshe, ekspertja e pavarur e Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) për të drejtat e njeriut, Irene Khan, me 6 prill ka bërë thirrje për zbardhjen e vrasjeve të gazetarëve në Kosovë, por edhe kishte thënë se në Kosovë ka pluralizëm mediatik.

Duke përshëndetur “peizazhin pluralist mediatik” në Kosovë, ajo inkurajoi autoritetet kosovare që të vazhdojnë të forcojnë lirinë e medias.

“I bëj thirrje autoriteteve që të zbatojnë plotësisht ligjin për gjuhët dhe i bëj thirrje bashkësisë ndërkombëtare që të sigurojë mbështetje adekuate për mediat e pavarura në gjuhën serbe,” tha ajo.

Po ashtu, Khan shtoi se “ata duhet të përfundojnë hetimet për vrasjet e kaluara dhe zhdukjet me forcë të gazetarëve dhe të sigurojnë drejtësi”.

Valon Syla, gazetar dhe analist politik, është sulmuar të martën nga tre persona, duke i shkaktuar lëndime të rënda në kokë. Ndonëse ende nuk dihen zyrtarisht motivet e sulmit, gazetari Syla tha se me shumë gjasë kjo ka të bëjë me reagimet satirike lidhur me një dhuratë – një veturë të tipit Mercedes-Benz – për një hoxhë në Prizren.

Syla, i cili ka qenë viktimë e sulmeve fizike për komentet e tij edhe në të kaluarën, në disa postime në rrjetet sociale, kritikoi edhe Bashkësinë Islame të Kosovës, veçanërisht kreun e saj, Naim Tërnava, për siç tha ai, “luks” të tepruar dhe sjellje si të figurave të showbiz-it

Sulmi ndaj gazetarit Syla ka nxitur reagimin e institucioneve të vendit, partive politike, gazetarëve, diplomatëve dhe shoqërisë civile në Kosovë, të cilët e kanë dënuar ashpër rastin në fjalë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore