Kosova

Çka thotë letra e Federica Mogherini-t për Asociacionin që Kurti po e përmend kaq shpesh?


Federica Moherini

Pasi Bashkimi Evropian i ka thënë kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, se ai duhet ta themelojë patjetër Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, sepse është detyrim i prodhuar nga marrëveshjet e kaluara, edhe Kurti i ka kërkuar BE-së që të respektojë dokumentet e veta paraprake, duke iu prezantuar një letër të ish-shefes për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë së BE-së, Federica Mogherini.

Kjo letër, që ish-shefja e diplomacisë evropiane ia pati dërguar ish-kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, në vitin 2015, është shndërruar në një nga siguresat e Kurtit për themelimin e Asociacionit, por pa kompetenca ekzekutive.

Çfarë thotë letra?

Mogherini ia kishte dërguar Mustafës për t’i garantuar se BE nuk e sheh Asociacionin si një organizëm që do të përbëjë një pushtet të tretë në Kosovë dhe që do të udhëheqë në aspekt ekzekutiv me ndonjë fushë.

Letra e shkurtër i konfirmon Mustafës se BE nuk do Asociacion që u jep serbëve në Kosovë levë ekzekutuese të pushtetit.

“I dashur kryeministër, në kontekstin e vendimeve tona për themelimin e Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe, do të doja të konfirmoja se Bashkimi Evropian e kupton se Asociacioni/Bashkësia – në pajtim me Marrëveshjen e parë dhe Ligjin e Kosovë – nuk do të përbëjë shtresë te tretë të qeverisjes dhe nuk do të ketë kompetenca ekzekutive”, i shkruan politikanja italiane Mustafës.

“BE, në ushtrimin e rolit të vet si lehtësues i dialogut Prishtinë – Beograd, do të vazhdojë të monitorojë respektimin dhe implementimin nga të dyja palët të Marrëveshjes së Parë dhe të gjitha marrëveshjeve të arritura në dialog”, përfundon letra.

Letra e Mogherinit per Isa Mustafen

Tetë vjet më vonë, kjo letër është shndërruar në një nga tri shtyllat e Kurtit për t’u siguruar për të njëjtën gjë – që Asociacioni s’do jetë me kompetenca ekzekutive.

Kurti ka treguar edhe pas takimit të fundi që pati në Ohër të Maqedonisë së Veriut, që iu ka propozuar ndërmjetësuesve Josep Borrell dhe Miroslav Lajçak, por edhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, që nëse i pranojnë tri shtylla të vendosura nga ai, draft-statutin e Asociacionit do t’ua sjell qysh të nesërmen në mëngjes.

Shtyllat e Kurtit, veç letrës së Mogherinit, janë edhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për Marrëveshjen për Parimet e Përgjithshme, i cili thotë se disa nga nenet e marrëveshjes nuk janë në përputhshmëri të plotë me frymën e Kushtetutës së Kosovës dhe duhet të bëhet kujdes kur të formohet statuti që të mos bie ndesh me Kushtetutën, por edhe letra e dërguar në janar nga Derek Chollet, këshilltar i Departamentit amerikan të Shtetit dhe Gabriel Escobar, i dërguar i Posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor.

Vendimi i Gjykates per Parimet e Pergjithshme, 2015

Dy diplomatët në letër shkruajnë se “zotimi i Kosovës për të krijuar Asociacionin nuk e cenon Kushtetutën e saj, as nuk kërcënon sovranitetin, pavarësinë ose institucionet demokratike të saj”.

Gjithashtu, letra thotë edhe që “brenda kornizës së dialogut të lehtësuar nga BE-ja, Kosova mund të refuzojë opsionet që kërcënojnë strukturën e saj ligjore”.

Chollet dhe Escobar në letër e bëjnë të qartë se “kundërshtojmë rreptësishtë krijimin e çfarëdo etniteti që i përngjan Republikës Serbe në Bosnjë dhe Hercegovinë”.

Tani, kjo letër, ajo e Mogherinit dhe vendimi i Gjykatës janë shndërruar në tri siguresat që Kurti i përmend vazhdimit kur është fjala për themelimin e Asociacionit.

Por, siç shihet, përveç letrës së fundit të amerikanëve që më parë ka qenë i shprehur si deklarim publik, edhe dy kushtet e para (pajtimi me Kushtetutën dhe letra e Moherinit) kanë qenë të plotësuara qysh në vitin 2015.

Atëherë, opozita e përbërë nga Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, kundërshtonte Asociacionin pavarësisht a përbën ai shtresë të re të pushtetit, apo jo.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore