Shqipëria

Mbyllet vizita zyrtare e Kurtit në Tiranë, Shqipëria mbështet qasjen e Kosovës ndaj planit evropian


Lajmi është i përditësuar…

Vizita zyrtare e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti të dielën e 26 marsit në Tiranë u përmbyll pas tre orësh (14:00).

Takimi i fundit në agjendën e kryeqeveritarit ishte me homologun shqiptar Edi Rama.

Ballafaqimi kokë më kokë mes krerëve kaloi pa asnjë koment për mediat e pranishme.

Kurti, së bashku me delegacionin që kryeson, mori mbështetjen e autoriteteve shqiptare për planin evropian mbi dialogun Kosovë-Serbi gjatë dy ndalesave të vizitës së tij në Presidencë dhe në Kuvendin e Shqipërisë.

Fillimisht, kryeqeveritari u mirëprit në orën 11:00 në Presidencë nga Presidenti i Republikës Bajram Begaj.

Të dy udhëheqësit biseduan mbi zhvillimet më të fundit të negociatave mes Kosovës dhe Serbisë.

Kryeqeveritari u prit më pas në kryesinë e Kuvendit nga vetë kryetarja e këtij institucioni, Lindita Nikolla.

Krye-qeveritari i Kosovës një vizitë të ngjashme e kishte bërë edhe më 13 tetor të vitit të kaluar.

Dy liderët (Rama-Kurti) pas takimit me dyer të mbyllura nuk kishin dhënë asnjë prononcim për mediat.

Mes tyre, takimi i fundit ka qenë mbledhja e dy qeverive në Prishtinë, ku të dy palët firmosën një sërë marrëveshjesh për bashkëpunimin mes tyre.

Reagimi i Begajt

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj ka përshëndetur maturinë e ekipit negociator të Republikës së Kosovës, për ta pranuar planin evropian, si dhe për ta nënshkruar e zbatuar atë.

“Presidenti Begaj, pasi u informua në detaje mbi negociatat e zhvilluara me Serbinë, të udhëhequra nga Bashkimi Evropian dhe të mbështetura nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përshëndeti lidershipin, maturinë dhe kurajon e treguar nga Kryeministri Kurti dhe ekipi negociator i Republikës së Kosovës, për ta pranuar planin evropian, si dhe për ta nënshkruar e zbatuar atë”, vëren njoftimi zyrtar për shtyp.

https://president.al/presidenti-begaj-pret-kryeministrin-e-kosoves-albin-kurti/

Ndër të tjera, Begaj vlerësoi se dakordësimi publik dhe angazhimi i palëve për të zbatuar planin evropian të normalizimit të marrëdhënieve midis Republikës së Kosovës dhe Serbisë dhe aneksin përkatës, si një pjesë integrale të tij “është një garanci më shumë për paqen, stabilitetin dhe të ardhmen e vendeve të rajonit në Bashkimin Evropian”.

Presidenti Begaj shprehu gjithashtu besimin se zotimi i marrë nga palët në Ohër do të respektohet plotësisht, ndërkohë do të gjenden mekanizmat e duhur për ta kthyer këtë dakordësim publik në një marrëveshje të detyrueshme e të zbatueshme për palët ndërkombëtarisht.

Reagimi i Ramës

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama shprehu mbështetjen e tij për kurajon dhe realizmin e homologut të tij Kurti drejt normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë.

Lajmi u bë i ditur nga kreu i Qeverisë shqiptare, Edi Rama, duke cituar statusin e tij në median sociale “Facebook”.

“Me mikun e posaçëm, kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, gjatë drekës së sotme ku diskutuam me detaje për marrëveshjen e Ohrit dhe ecurinë e mëtejshme të procesit të zbatimit të saj. I shpreha Albinit të gjithë simpatinë time për kurajon dhe realizmin me të cilin ka hedhur hapa me rëndësi të madhe drejt normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë”, shkruan fillimisht Rama.

Ai e inkurajoi homologun e tij, sipas njoftimit, në hedhjen e hapave të mëtejshëm, “qoftë për garantimin e komunave serbe në kornizën e asociacionit që garanton vetë-menaxhimin e komunitetit serb, qoftë për funksionimin me garancitë e nevojshme të Kishës Serbe në vendet e saj të kultit në Kosovë”.

“E sigurova se në këtë proces jo të lehtë ai ka mbështetjen time më të plotë”, theksoi Rama.

Kryeministri njoftoi po ashtu se qeveritë e Kosovës dhe Shqipërisë do të kenë mbledhjen e tyre të përbashkët të radhës në muajin qershor.

Reagimi i Nikollës

Kryekuvendarja Lindita Nikolla përshëndeti gjithashtu takimin “vëllazëror” me Kryeministrin e Kosovës Albin Kurti.

Pasi i uroi mirëseardhjen në Kuvendin e Shqipërisë, Nikolla e përgëzoi Kurtin për punët e mira që po bën Qeveria e Kosovës si edhe durimin, qetësinë, maturinë dhe qëndrimet  e guximshme në bashkëpunimin me BE-në dhe SHBA-të për të ardhmen euro-atlantike të Kosovës.

“Kuvendi nxit e mbështet bashkëpunimin e shkëlqyer midis Shqipërisë dhe Kosovës në të gjitha fushat dhe mbështesim vendimet e Qeverisë së Kosovës, si vendime të një qeverie të zgjedhur në mënyrë demokratike dhe të një shteti sovran dhe të pavarur. Bashkëpunimi intensiv mes Kuvendit të Shqipërisë dhe Kuvendit të Kosovës është në ditët më të mira. Ne mbështesim perspektivën euro-atlantike të Kosovës dhe vijojmë të lobojmë për njohjet e reja ndërkombëtare, anëtarësimin në Këshillin e Evropës, OKB dhe organizatat ndërkombëtare”, u shpreh fillimisht Nikolla.

Kryekuvendarja shqiptare theksoi gjithashtu mbështetjen ndaj dialogut midis Kosovës dhe Serbisë si rruga më e mirë dhe e vetme drejt njohjes së ndërsjellë mes dy vendeve.

“Vlerësojmë Planin Evropian si një pikënisje e mirë për dialogun dhe mbështesim angazhimin e BE-së dhe SHBA-së në zbatimin e aneksit të këtij Plani. Zbatimi i marrëveshjes midis Kosovës dhe Serbisë do të kontribuojë në forcimin e stabilitetit në Ballkanin Perëndimor dhe perspektivën e tij euroatlantike”, vijoi zyrtarja e lartë shqiptare.

Kryeministri Albin Kurti falënderoi Kryetaren Lindita Nikolla për mbështetjen institucionale të bashkëpunimit dypalësh, si Kryetare e Kuvendit.

Kurti vuri në dukje progresin e dukshëm në zhvillimin ekonomik, konsolidimin e institucioneve demokratike dhe të procesit të integrimit evropian të Kosovës dhe nënvizoi se ekonomia, demokracia dhe integrimi po ecin në mënyrë komplementare, duke respektuar njëkohësisht të drejtat e njeriut dhe të pakicave.

Kryeministri Kurti vuri në dukje vendosmërinë e Qeverisë dhe institucioneve të Kosovës për avancimin e dialogut me Serbinë dhe zbatimin e Planit Evropian, duke respektuar Kushtetutën e Kosovës dhe duke bashkëpunuar ngushtë me BE-në dhe SHBA-të.

Marrëveshja

Kosova dhe Serbia u pajtuan më 18 mars, në Ohër, që të fillojnë zbatimin e Marrëveshjes për normalizimin e raporteve sa më shpejt që të jetë e mundur.

Megjithatë, atë nuk e nënshkruan zyrtarisht.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç, u pajtuan paraprakisht më 27 shkurt me planin 11-pikësh të Bashkimit Evropian.

Kjo, për normalizimin e marrëdhënieve që për diplomacinë perëndimore vlerësohet shumë e rëndësishme dhe një sukses pas agresionit rus në Ukrainë.

Tani Bashkimi Evropian duhet të gjejë rrugë për t’i bindur palët që ta kuptojnë Marrëveshjen si obligim, dhe t’i implementojnë të gjitha pikat.

Në rastin e Serbisë, mendohet të bëhet përmes përfshirjes së Marrëveshjes në kornizën e negociatave të anëtarësimit në BE, ndërsa për Kosovën në Komisionin për Normalizim.

Kjo marrëveshje nuk e përfshin njohjen reciproke mes të dy vendeve, por kërkon nga të dyja që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat e veturave.

Po ashtu, nga palët kërkohet që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë edhe atë për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore