Kosova

Borrell e njofton Blinken se ka pajtim, para takimit në Ohër


Blinken dhe Borrell

Përfaqësuesi i Lartë i Politikës së Jashtme dhe të Sigurisë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, e ka njoftuar sekretarin amerikan të shtetit, Antony Blinken, se Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, janë pajtuar që të bëjnë hapa të rëndësishëm përpara në prag të takimit në Ohër.

“Të dy janë pajtuar se kjo ishte koha e duhur që të bëjnë hapa domethënës përpara në interes të integrimit në Bashkimin Evropian të Kosovës dhe Serbisë”, thuhet në njoftimin zyrtar nga Bashkimi Evropian.

Njoftimi i Borrell për Blinken është bërë përmes telefonit, në një bisedë të dy diplomatëve të rëndësishëm.

“Të premten përfaqësuesi i lartë Josep Borrell ka zhvilluar një bisedë telefonike me sekretarin amerikan të shtetit, Antony Blinken. Diskutimi i tyre është fokusuar në takimin e radhës të nivelit të lartë të ndërmjetësuar nga BE-ja për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës të shtunën në Ohër”, thuhet në njoftimin që është shpërndarë edhe nga vetë Borrell në Twitter.

 

“Borrell e ka njoftuar sekretarin Blinken për zhvillimet e fundit në lidhje me procesin e normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, ka vënë në theks pritjet e tij për takimin në Ohër dhe ka nënvizuar rëndësinë e progresit në dialogun për aspiratat evropiane të të dyja vendeve”.

Krye-diplomati i Evropës në bisedë “ka vlerësuar lartë mbështetjen e qartë dhe të vazhdueshme të SHBA-ve për përpjekjen e BE-së, veçanërisht për Marrëveshjen në Rrugën drejt normalizimit të raporteve dhe për procesin në prag të takimit të nivelit të lartë me presidentin Vuçiç dhe kryeministrin Kurti këtë të shtunë”.

Të dy bashkë kanë biseduar edhe për tema të tjera të rëndësishme, siç janë përpjekjet e vazhdueshme në rrugën drejt paqes, pajtimit dhe rindërtimit në Etiopi dhe mbështetjen e komunitetit ndërkombëtar, duke përfshirë BE-në dhe SHBA-në.

Përtej agjendës zyrtare – gjithçka që do të ndodhë në Ohër

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore