Kosova

Borrell para takimit në Ohër: Gjithçka varet nga Kurti dhe Vuçiç se a do gjejnë guximin


Josep Borrell

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë, Josep Borrell, në një intervistë për agjencinë malazeze të lajmeve, ka thënë se do të bëjnë maksimumin për ta ndihmuar Kosovën dhe Serbinë të gjejnë një mënyrë për t’u pajtuar dhe për t’i normalizuar marrëdhëniet.

Borrell theksoi se roli i tij është të lehtësojë dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe se ai “investoi shumë personalisht”, me mbështetjen e përfaqësuesit special të BE-së, Miroslav Lajçak, i cili është angazhuar përmes “diplomacisë fluturuese” në Prishtinë, Beograd dhe qytetet kryesore të BE-së.

“Është në interesin e tyre dhe në interesin e popujve të tyre që të gjejnë guximin e nevojshëm politik që dialogu të ketë sukses. Ne do të vazhdojmë t’i ndihmojmë ata me aq sa mundemi, por në fund të fundit u takon atyre të marrin vendimet e tyre”.

“Eshtë e panevojshme të thuhet se rezultati i suksesshëm i këtij dialogu do të ketë një ndikim shumë pozitiv në të gjithë rajonin”, tha Borrell dy ditë para takimit të nivelit të lartë në Ohër mes kryeministrit Albin Kurti dhe Presidentit të Serbisë.

Shefi i diplomacisë evropiane shprehu optimizmin se palët janë gatshme të gjejnë një zgjidhje në tavolinën e bisedimeve, sepse siç nënvizoi ai, nëse duan të anëtarësohen në BE atëherë ata duhet të kenë marrëdhënie të mira fqinjësore si një nga parimet bazë të bllokut evropian.

“Prandaj, me dialogun e mbështetur nga BE-ja, ne po ndihmojmë Beogradin dhe Prishtinën që të arrijnë një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve”, tha Borell, ndërsa shtoi se dialogu është një nga komponentët kyç të angazhimit të BE-së në Ballkani Perëndimor.

Më 18 mars, shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, dhe i dërguari i unionit për dialogun, Mirosllav Lajçak, fillimisht do të mbajnë takime dypalëshe me Kurtin dhe Aleksandër Vuçiç, dhe më pas është paraparë të mbahet takimi i përbashkët.

Takimet dypalëshe pritet të nisin paraditen e së shtunës. Kryeministri Kurti është shprehur i gatshëm që gjatë takimit të Ohrit të nënshkruajë propozimin evropian, por Vuçiç ka shprehur qëndrimin se nuk i shkon “në mendje” të nënshkruajë “kapitullimin e Serbisë”.

Diplomatët perëndimorë shpresojnë që të arrihet përparim në takimin e 18 marsit në Ohër të Maqedonisë së Veriut disa ditë para se shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, të raportojë në Këshillin Evropian për rrjedhën e bisedimeve Kosovë – Serbi.

Ekskluzive, shënimet kritike të Marrëveshjes: Kosova dhe Serbia respektojnë vijat e kuqe, mundësojnë kompromisin, pranojnë marrëveshjen, fitojnë rrugë evropiane dhe mbështetje financiare – ndryshe, izolohen krejtësisht

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore