Kosova

Kosova dhe Serbia ta shfrytëzojnë momentin, thotë Von der Leyen


Ursula von der Leyen

Normalizimi i raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, sipas presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, është i një rëndësie të madhe, vendimtare për stabilitetin, sigurinë dhe prosperitetin e rajonit.

Si Kosova ashtu edhe Serbia, shton më tej ajo, duhet ta kapin këtë moment në dialog dhe të jenë konstruktiv në bisedimet e ardhshme.

“Lufta në Ukrainë nënvizoi rëndësinë gjeostrategjike të procesit të zgjerimit. Ne dëshirojmë që partnerët tanë të Ballkanit Perëndimor të jenë sa më pranë nesh dhe sa më shpejt të jetë e mundur”, ka thënë Von der Leyen, gjatë një interviste të organizuar nga Agjencia Evropiane e Lajmeve.

E pyetur se cilat mund të jenë pasojat për të dyja palët nëse dialogu nuk sjell rezultate, ajo tha se duhet të presin negociatat dhe pastaj të shohim rezultatet.

“Le të negociojmë së pari, pastaj do të shohim rezultatet”, përfundoi Von der Leyen.

Kosova dhe Serbia të hënën e 27 shkurtit, sipas shefit të BE-së për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë, Josep Borrell, kanë pranuar propozimin e Bashkimit Evropian apo gjerësisht i njohur ndryshe si propozimi franko-gjerman, që tash e tutje do të quhet Marrëveshja për rrugën e normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Ndërsa më 18 mars Kurti dhe Vuçiç pritet të takohen në Maqedoninë e Veriut për të negociuar për planin e zbatimit të kësaj marrëveshjeje.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore