Kosova

Liberalizimi i vizave sërish në agjendë, Shasha: Janë hapa procedural që duhen ndjekur, s’pritet asnjë befasi  


Ilustrim

Çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën të enjten pritet të jetë në rend të ditës së Këshillit të Ministrave të Bashkimit Evropian për Çështje të Drejtësisë dhe të Punëve të Brendshme.

Sipas agjendës së publikuar të mërkurën, pritet miratimi i qëndrimit të Këshillit të BE-së në lexim të parë.

Për drejtorin e Institutit të Kosovës për Politikat Evropiane (EPIK), Demush Shasha, ky diskutim për liberalizimin e vizave nuk është asgjë tjetër përveç se një procedurë e rëndomtë e aprovimit të legjislacionit nga ana e BE-së dhe hap i radhës pas përfundimit të trialogut në muajin dhjetor dhe aprovimit nga Komiteti i Parlamentit Evropian për Liritë Civile, Drejtësinë dhe Çështjet e Brendshme (LIBE) në janar.

“Është hap i rëndësishëm që edhe ministrat sot të japin vulën politike të miratimit të liberalizimit për Kosovën. Sidoqoftë më së miri të presin si do të shkoj takimi sot edhe pse nuk pritet asnjë befasi pasi që në agjendë është vendo si ‘pika A’ që i bije që nuk do të ketë fare debat, pasi të gjitha vendet anëtare janë dakorduar për këtë pikë paraprakisht”, shpjegon Shasha procedurën për Albanian Post.

BE-ja, beson Shasha, ka vendosur përfundimisht të përfundojë çështjen e liberalizimit të vizave për kosovarët, pasi sipas tij që nga dhjetori ka pasur hapa pozitive njëri pasi tjetrit që ky proces të vijë deri në fund.

“Pas këtij hapi ndryshimi i rregullores do të votohet edhe në seancën plenare të Parlamentit Evropian. këto çfarë po shohim tani janë hapa procedural legjislativ qe duhen ndjekur me patjetër”, ka shtuar ai.

Ndryshe, në takimin e fundit të Komitetit të Përhershëm të Përfaqësuesve të Shteteve Anëtare të BE-së (COREPER), propozimi për liberalizimin e vizave për Kosovën ishte miratuar pa diskutim, pasi me propozimin që liberalizimi i vizave të hyjë në fuqi më 1 janar të vitit 2024, vendet anëtare të BE-së ishin pajtuar më 22 nëntor.

Liberalizimi i vizave të enjten sërish në agjendën e Këshillit të Ministrave të BE-së

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore