Shqipëria

Sot protestë para Ministrisë së Drejtësisë për ngjarjen tronditëse të vrasjes së tre grave


Nga Kolektivi Feminist, këtë të enjte të 2 marsit, është planifikuar zhvillimi i një proteste para Ministrisë së Drejtësisë në orën 17:00 të pasdites.

Njoftimi i protestës vjen pas ngjarjes tronditëse të ndodhur një ditë më parë në kryeqytet, ku u vranë nga Dan Hutra tre gra.

Me thirrjen “Boll më!”, protesta do të mbahet lidhur me ngjarjen e rëndë që tronditi mbarë opinionin publik.

Çfarë ndodhi?

Fillimisht, në 12:15 Dan Hutra në afërsi të pallatit me shigjeta ka plagosur M.G, pas kësaj, autori është larguar me benz me targë AA531 UK që e kishte marrë me qira dhe në 12:35 ka shkuar në Kamëz.

Në këtë vend ka plagosur Elena Hysën, dhe Kujtime Hysën, ish bashkëjetuesja dha nëna dhe ka vrarë motrën dhe të fejuarën e vëllait të ish-bashkëjetueses.

Pastaj ka shkuar në Bathore, në rrugën Besëlidhja në familjen Kurti ku ka vrarë Etleva Kurtit.

“Për ngjarjen e parë jemi njoftuar pasi ka ndodhur vrasja e dytë”, tha Vocaj.

Ai shtoi se është kryer ekspertimi i gëzhojave, 12 në Paskuqan dhe 6 në Kamzë dhe ato janë shkrepur nga e njëjta armë.

Po ashtu drejtori tha se nuk ka pasur informacione nga familjarë për rrezik jete nga ana e tyre.

Autori i ngjarjeve, Dan Hutra, është person me precedent të theksuar kriminal, i dënuar në vitin 2003, me 2 vjet burgim, për veprën penale “Heqja e paligjshme e lirisë”, i dënuar në vitin 2009, me 16 vjet burgim për vrasje me paramendim, në vitin 2021 është arrestuar për vjedhje banesash nga DVP Durrës dhe po në vitin 2022 është arrestuar po nga DVP Durrës, për tentativë vjedhje banesash.

Gjithashtu, ky shtetas më 16 qershor 2022 është arrestuar nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, për dhunë në familje ushtruar ndaj ish-bashkëjetueses Elena Hysa, dhe ka dalë nga burgu më 16 shkurt 2023.

Cili është autori?

Dan Hutra nuk ishte emër i padëgjuar për Policinë dhe drejtësinë.

Vrasje, plagosje, përdhunime dhe dhunime nuk kanë mjaftuar që Hutrës “t’i cenohet” liria.

Zinxhiri i krimeve të tij nis që në 2003-shin, kur mori peng kunatën dhe e përdhunoi.

Asokohe ai u dënua për heqje të lirisë së nënës dhe kunatës së tij dhe përdhunimin e kunatës tjetër. Për këtë krim ai ka vuajtur vetëm tre vite burg.

Saga e krimeve të tij ndaj grave vijon. Këtë herë me humbje jete.

Në vitin 2007, autori dënohet pasi vret me armë zjarri ish të fejuarën e tij, Dafina Havaljan.

Sipas hetimeve asokohe, Hutra dyshonte për një tradhti.

Në mars të vitit 2009, ai do të dënohej me 24 vjet burg për vrasje me paramendim.

“Po, unë e kam vrarë gruan time, Dafinën, me thikë. Jemi grindur dhe më pas e kam goditur, por gjithçka e kam bërë pa vetëdije”, ishte dëshmia e tij asokohe.

Për shkak të gjykimit të shkurtuar atij i mbetën për të vuajtur vetëm 16 vjet burg.

Nuk mjaftoi – sërish i lirë.

Në vitin 2022 ai arrestohet për dhunë në familje, por Dan Hutra fiton lirinë më 16 shkurt 2023.

Vetëm disa ditë më vonë ai shkakton tragjedinë. Dy vdekje që duken se ishin të paralajmëruara me kohë, por se drejtësia nuk kishte sy për t’i parë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore