Lajme

Rusia e di shumë mirë se nën çfarë presionesh ndodhet Serbia, thotë ambasadori rus


Aleksandar Boçan Kharçenko

Moska zyrtare, sipas ambasadorit rus në Serbi, Aleksandar Boçan Kharçenko, e di mirë presionin nën të cilin gjendet Serbia për shkak të luftës në Ukrainë.

Megjithatë, sipas tij, Rusia gjithashtu është e vetëdijshme se lidershipi i Serbisë dhe populli serb dinë të mbrojnë dinjitetin, sovranitetin dhe interesin e tyre kombëtar, gjë që mundëson zhvillimin e marrëdhënieve dy palëshe, bashkëpunimin në rregullimin e çështjes së Kosovës, që sigurisht është një nga prioritet e përbashkëta të Rusisë dhe Serbisë.

“Uniteti i ushtrisë ruse dhe popullit serb është tradicional”, ka thënë Kharçenko, duke kujtuar fjalët e presidentit rus, Vladimir Putin, i cili kishte deklaruar se “vija e frontit kalon nga zemra e kombit tonë shumëkombësh”.

Në anën tjetër presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, duke analizuar deklaratat e Putin’it, ka konstatuar se lufta në Ukrainë do të vazhdojë me shumë ashpërsi.

“Një gjë e tillë do ta vështirësojë edhe më shumë pozitën e Serbisë në situatën aktuale politike dhe ushtarake. Për një, dy ose tre ditë, pres të shohë ndryshime të mëdha në fushën e betejës dhe më pas në aksione të mëtejshme politike nga pala perëndimore ndaj Serbisë”, ka shtuar Vuçiç.

Vendosja e sanksioneve ndaj Rusisë është një ndër kërkesat kryesore të BE-së drejtuar Serbisë.

Ndonëse Vuçiç për gati 12 muaj ka treguar rezistencë ndaj një vendimi të tillë kohëve të fundit i njëjti ka dhënë sinjale se Beogradi zyrtar megjithatë mund të ndryshojë qasjen e saj në raport me sanksionet ndaj Rusisë.

Kjo deklaratë e Vuçiç’it ishte bërë “mollë sherri” mes Partisë Progresiste të Serbisë dhe Partisë Socialiste i drejtuar nga ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiç.

Socialistët të cilët janë të afërt me Moskën zyrtare, sipas mediave serbe, kanë kërcënuar me zgjedhje, në rast se Vuçiç vendos sanksione Rusisë.

Plasaritja mes koalicionit qeverisës në Serbi nga mediat opozitare atje ishte parë si një dramë e re në skenën politike.

Përveç kësaj mediat kishin shkruar se “grindja” në fjalë mund të jetë edhe një performnacë Vuçiç-Daçiç, për të larguar vëmendjen e publikut nga marrëveshja që pritet të arrihet mes Kosovës dhe Serbisë në kuadër të dialogut në Bruksel.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore