Kosova

Diplomatëve serbë s’ju pëlqen deklarata e ambasadorit rus, kërkoi zgjidhjen e çështjes së Kosovës pas luftës në Ukrainë


Aleksandër Bochan-Kharchenko dhe Aleksandër Vuçiç

Ambasadori i Rusisë në Serbi, Aleksandër Bochan-Kharchenko, në një intervistë për agjencinë e lajmeve serbe, Beta, tha se statusi i përfundimtar i Kosovës do të përcaktohet në kushte të tjera gjeopolitike vetëm atëherë kur të përfundojë konflikti, siç e quajti ai, “me perëndimin në Ukrainë”, në të cilin “Rusia me siguri do të fitojë”.

Ndër të tjera, diplomati rus, tha se e kupton që propozimi franko-gjerman për zgjidhjen e çështjes së Kosovës nuk është i pranueshëm për Serbinë, sepse parasheh moskundërshtimin e Serbisë ndaj anëtarësimit të Kosovës në të gjitha organizatat ndërkombëtare.

Por, a mund të presë Kosova përfundimin e konfliktit mes Perëndimit dhe Rusisë ndërsa Serbia fitoren hipotetike të Rusisë në luftën kundër Ukrainës?

Për ish-ambasadorin e Serbisë në Bjellorusi, Sreçko Gjukiç, përgjigja është jo.

Në një intervistë për të përditshmen serbe, Danas, diplomati serb mendon se lufta në Ukrainë duhet të përfundojë menjëherë në atë mënyrë që çdo ushtri të jetë në territorin e vetë.

“Lufta e Ftohtë zgjati gati gjysmë shekulli. Në të nuk u vra asnjë ushtar, asnjë civil nga të dyja palët. Vështirë që konflikti aktual të zgjasë më pak në çdo variant dhe të përfundoi sikur të mos kishte ndodhur asgjë”, ka thënë Gjukiç për Danas.

Në anën tjetër sipas Radomir Dikiç, ish-ambasadorit të Serbisë në Francë, pikëpamjet e diplomatit rus japin mbështetje të gjithë atyre politikanëve serb të cilët janë kundër planit franko-gjerman.

Rusia përmes ambasadori të saj, beson ish-diplomati serb po mbështet në mënyrë të paskrupullt të gjithë ata që janë kundër ofertës së Bashkimit Evropianë me një inkurajim për mospranim të këtij plani pavarësisht çmimit që do të paguajnë qytetarët e Serbisë.

“Historia e marrëdhënieve serbo-ruse është plot me zhgënjimin e Serbisë me qëndrimin e Rusisë kur interesat e saj ishin në rrezik. Serbët do të shkonin gjithmonë në plan të dytë”, ka thënë Dikiç për Danas.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore