Shqipëria

Rama “shmang” protestën dhe publikon pamjet nga një poçeri


Ndërkohë që protestuesit kanë nisur marshimin e tyre drejt Kryeministrisë, kryetari i ekzekutivit Edi Rama ka publikuar pamje nga një poçeri ndërsa punon me një vazo prej balte.

“Ai momenti kur njëri thotë varja se u pre rruga dhe tjetri thotë jo, sapo u hap një rrugë e re!”, shkruan Rama në median sociale Facebook.

Kryeministri ka zbuluar më herët se kjo dëshirë i ka lindur para disa vitesh.

“Kur kam vajtur te një shok i im i fëmijërisë për ta falënderuar sepse i kishte bërë një dhuratë shumë të bukur nënës sime, kapa baltën me duar. Aty bëra një diçka të vogël, pastaj nuk harxhoj punë shumë të madhe. Mund të shkoj dy herë ose tre herë në muaj. Jam një poçar jo i keq”, shprehej kreu i qeverisë asokohe.

Kujtojmë që një prej arsyeve të organizimit të protestës së 11 shkurtit lidhet me ish-zyrtarin e lartë të FBI-së.

McGonigal akuzohet në SHBA për lidhje me oligarkun rus, Oleg Deripaska, si edhe për deklarime të rreme dhe falsifikime dokumentacioni.

Po ashtu, ai rezulton se ka pasur edhe takime të mëparshme me kryeministrin Edi Rama, por ky i fundit nuk është i implikuar në veprimtarinë që ish-zyrtari amerikan ka ushtruar më parë në Shqipëri dhe vende të tjera.

E përditshmja amerikane “New York Times” publikoi më 3 shkurt detaje të reja nga hetimi i prokurorëve në Washington duke shkruar se ndërsa ishte ende në FBI, McGonigal zhvilloi një marrëdhënie me kryeministrin Rama dhe “ndërmori hapa në dobi të politikanit”.

Botimi amerikan ngre dyshime për përplasje lobimesh, por pa arritur në asnjë konkluzion referuar prokurorëve amerikanë.

Në nëntor, pasi McGonigal u takua përsëri me kryeministrin Rama dhe Dorian Duçkën në Shqipëri, ai kontaktoi të njëjtin prokuror që kishte qenë me të në Austri për një hetim të mundshëm ndaj një lobisti që kundërshtari politik i Ramës kishte punësuar për të pasur mbështetje nga Presidenti Donald J. Trump.

Ngjarjet e detajuara në aktakuzë dhe të dhëna të tjera publike duket se përputhen me përshkrimin e lobistit Nicolas D. Muzin.

Vetëm disa ditë përpara se McGonigal të kontaktonte me prokurorin, më 14 nëntor, Muzin paraqiti një kallëzim në Departamentin e Drejtësisë duke zbuluar lobimin e tij për Partinë Demokratike të Shqipërisë, partinë politike të qendrës së djathtë që sfidonte Ramën. Partia drejtohej asokohe nga Lulzim Basha, i cili ishte vendosur si mbështetës i Trump.

McGonigal hapi një hetim federal për një lobist për Lulzim Bashën, kundërshtar politik i Ramës në Shqipëri, thanë prokurorët.

Një tjetër detaj i ri lidhet me gatishmërinë e McGonigal për t’u takuar me kreun e shtetit në Shqipëri, sipas botimit, një vend që ka një prani diplomatike amerikane.

Kjo e fundit sugjeron se ish-zyrtari nuk po e mbante të fshehtë përfshirjen e tij atje nga kolegët, thanë ish-zyrtarët.

Ai gjithashtu përdori adresa e e-mailit dhe telefonin e FBI-së për çështjet që lidhen me Shqipërinë, tha një person me njohuri në hetim.

Por çfarëdo preteksti zyrtar që mund të kishte McGonigal për ato udhëtime dhe shoqata mund të kishte shërbyer gjithashtu si mbulesë për aktivitete më të diskutueshme, thanë të tjerë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore