Kosova

Gazetarët kërcënohen me armë në veri, reagon AGK-ja


Ilustrim

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), përmes një reagimi në Facebook, njoftoi se me shqetësim ka pranuar raportimin për një incident serioz në veri të Kosovës të mërkurën ndaj një ekipi të televizionit T7.

Një ekip gazetarësh është ndjekur përreth 20 kilometra nga Leposaviqi deri te Ura e Bistricës nga një veturë. Gazetarët kishin shkuar në Leposaviq për të raportuar rreth një kontrabande të cilën e kishte parandaluar Policia e Kosovës në fshatin Jashanicë.

“AGK-ja, e dënon ashpër sulmin dhe alarmon për pasigurinë me të cilën ballafaqohen ekipet e gazetarëve që shkojnë nga Prishtina për të raportuar në veri”, thuhet në reagimin e AGK-së.

Tre persona brenda veturës ia kanë drejtuar armën ekipit të gazetarëve duke kërkuar nga ekipi që të ndalin veturën. Siç raportoi Express, ndjekja ka përfunduar vetëm kur vetura e ekipit ishte afruar pikës ku patrullon Njësia Speciale ndërsa hetimet për këtë rast do të vazhdojnë nga stacioni policor në Zveçan.

“AGK-ja, fton organet vendore dhe ndërkombëtare të sigurisë që të shtojnë përpjekjet e tyre për të ofruar sigurinë e nevojshme që gazetarët ta kryejnë punën e tyre të parrezikuar”, thuhet tutje në reagimin e AGK-së.

Ndryshe, gjatë “krizës së barrikadave” në muajin dhjetor të vitit të kaluar, ishin shënuar një numër i incidentesh, ku përveç gazetarëve ishin sulmuar edhe pjesëtarë të Policisë së Kosovës dhe trupave ndërkombëtare të EULEX-it dhe KFOR-it.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore