Kosova

Ndalimi i Trajkoviç’it, Kurti ankohet te Escobari dhe Borrelli: Hakmarrje ndaj serbëve që e respektojnë ligjin


Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përmes një cicërime në rrjetin social Twitter, ka reaguar për ndalimin Rada Trajkoviç’it nga autoritetet serbe.

Ai në postimin e tij ka etiketuar kryediplomatin evropian, Josep Borrell, emisarin special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak dhe zëvendës-sekretarit amerikan të Shtetit për Evropën edhe Euroazinë, Gabriel Escobar, duke iu bërë thirrje që të marrin masa për lirimin e saj.

“Ndalimi 10-orësh në kufi nga regjimi autokratik serb të Rada Trajkoviç’it, këshilltare e ministrit Nenad Rasiç, për herë të dytë këtë javë, është shkelje e rëndë e të drejtave të njeriut dhe hakmarrje tipike ndaj serbëve që respektojnë ligjin”.

Ndryshe, Trajkoviç ishte nisur nga Serbia për në Kosovë, për tu takuar me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, por në kufi asaj iu ndalua hyrja në Kosovë pa asnjë arsyetim zyrtar, ani pse e njëjta pas disa orë pritjeje arriti të futet në territorin kosovar.

Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, ka bërë të ditur se ka informuar Zyrën e Bashkimit Evropian dhe janë kontaktuar ambasadat e shteteve të QUINT-it, për rastin e ndalimit të politikanes serbe, e cila ka më shumë se 10 orë që po mbahet në vendkalimin në Merdarë dhe nuk po lejohet të hyjë në Serbi.

“Që prej orës njëmbëdhjetë, pa shpjegim dhe arsye, qëndroj në kufi, ku më janë konfiskuar dokumentet në mënyrë antikushtetuese dhe të paligjshme dhe më është penguar liria e lëvizjes”, ka shkruar Trajkoviç në llogarinë e saj në Twitter, mëngjesin e së premtes.

Lidhur me këtë ka reaguar edhe ministri Rashiç, duke kërkuar nga kabineti qeveritar një zgjidhje për lirimin e saj.

Trajkoviç ka kohë që ka shprehur shqetësimet e saj në rrjetet sociale dhe në media duke treguar se po kërcënohet dhe frikësohet nga serbët për shkak të bindjeve politike.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore