Shqipëria

Alabbar i konsideron “qesharake dhe të pavërteta” pretendimet e opozitës


Investitori i Emirateve të Bashkuara Arabe, Muhamed Alabbar, deklaroi se pretendimet e opozitës janë “gjëra qesharake dhe të pavërteta”.

Lajmi u bë i ditur nga transmetuesi “Euronews Albania”, duke cituar intervistën me Alabbar.

“Nuk është e nevojshme të flas për gjërat që nuk më pëlqyen, megjithatë ka disa gjëra qesharake, disa pretendime të pavërteta, disa deklarata të pavërteta. Megjithatë, unë si tip nuk iu përgjigjem këtyre gjërave që janë të gabuara. Besoj se sot, me teknologjinë mund të mësosh se kush është Mohamed Alabbar, asgjë nuk është e fshehtë”, u shpreh fillimisht themeluesi i ‘Emaar Properties’.

Në vijim, ai kërkoi që njerëzit të tregohen të sinqertë për faktet, se kush janë (Eagle Hills) dhe se cilat janë parimet e tyre të biznesit.

“Mendoj se që të gjithë kanë të drejtë të bëjnë pyetje, të marrin informacion, e gjitha që kërkoj është që njerëzit të tregohen të sinqertë për faktet, se kush jemi, se cilat janë parimet tona të biznesit. Megjithatë, e drejta do të mbetet e drejtë dhe e gabuara – e gabuar”, vijoi Alabbar.

Sipas tij, marrëveshja u pasua nga një diskutim i gjatë, i detajuar, ndonjëherë edhe mjaft i lodhshëm.

“Besoj se duhet respektuar ligji i vendit dhe duhet të respektojmë gjithashtu transparencëm. Më vjen mirë për pozicionin ku jemi sot. Do të thoja që për qëllimet e qeverisjes dhe të transparencës, mendoj se ishte debati më i mirë në botë, por për mua si biznesmen ishte i gjatë, i detajuar dhe i lodhshëm, megjithatë i përgëzoj të gjithëve”, shtoi investitori nga EBA.

Një fakt që i kishte bërë përshtypje, Alabbar-it ishte se njerëzit ishin të frikësuar për efektin e zhvillimit të ekonomisë lokale.

“Mendoj se ata tregohen të kujdesshëm që investitorët të tregohen seriozë dhe shqetësohen për efektin e investimit”, ravijëzoi në përmbyllje Muhamed Alabbar.

Investitori mohoi gjithashtu akuzat e opozitës se në kompaninë “Eagle Hills”, ka aksionerë serbë apo nga vende të tjera të rajonit.

Votimi

Në orët e para të së premtes, u votua me 74 vota pro nga shumica parlamentare projektligji për Portin e ri turistik të Durrësit.

Pas më shumë se 14 orë diskutimesh lidhur me çështjen, rruga tashmë – edhe pse me miratimin vetëm nga shumica – iu hap projektit madhor, i cili do të shohë investimin prej 2 miliardë dollarësh nga investitori i Emirateve, Mohammed Alabbar.

Projekti për Portin e Durrësit do të zhvillohet nē një sipërfaqe trualli prej 812 mijë e 600 metrave katrorë.

Në të parashikohet të bëjnë pjesë 12 mijë apartamente dhe dy hotele me 850 dhoma në tërësi.

Projekti parashikon gjithashtu 80 mijë metra katrorë hapësira të gjelbra, ose hapësira të hapura, si edhe një gjatësi plazhi prej 700 metrash.

Faza e parë pritet të nisë në vitin 2023 dhe të zgjasë pesē vjet.

Marrëveshja ka njē jetëgjatësi prej 35 vitesh, nga e cila Qeveria përfton 33.3 për qind të dividentit.

Kuvendi votoi projektin, Alabbar: Transformim i plotë i Durrësit, nuk keni parë diçka të tillë

Çfarë përfshin projekti i Portit të ri të Durrësit?

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore