Kosova

Kurti: Borrell ndryshoi premisën e negocimit, iu përshtat qëllimit të Serbisë


Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurit, në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës ka dhënë detaje për takimin e nivelit të lartë në kuadër të dialogut e mbajtur të hënën në Bruksel i cili përfundoi pa arritjen e një marrëveshjeje për çështjen e targave.

Sipas Kurtit, ftesa e përfaqësuesit të lartë të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ishte i shoqëruar me një tekst i përbërë nga katër paragrafe, ku në paragrafin e parë bëhej ftesë për përqendrim me urgjencë në propozimin e Bashkimit Evropian e përkrahur nga Franca, Gjermania për normalizim të raporteve.

“Në paragrafin e tretë teksti bënte thirrje që të fillonim menjëherë bisedimet për propozimin e Bashkimit Evropian në nivel të lartë për të arritur një marrëveshje para marsit të vitit 2023”.

“Në paragrafin e dytë ishte çështja e targave së bashku me çështjen e garancioneve për komunitetin serb të cilët do të diskutoheshin në propozimin e BE-së, pra në marrëveshjen për normalizim të cilët do të diskutoheshin në propozimin e BE-së”.

Kjo agjendë e propozuar nga Borrell e shoqëruar me një tekst me katër paragrafe e cila pritej të lëshohej si deklaratë në fund, sipas Kurtit ishte e duhura dhe rrjedhimisht e njëjta ishte pranuar nga pala kosovare.

Por, sipas tij më pas Borrell ndryshojë premisën e negocimit.

“Në kundërshtim me parimin e propozuar nga vetë ai, Borrell filloi të insistoi në një marrëveshje që adreson vetëm masat e mirëbesimit, pezullimin e gjobave për targa”, ka treguar Kurti.

“Qëllimi i madh u hoq nga agjenda, nevoja urgjente për propozimin evropian me mbështetje franko-gjermane u zhduk nga tavolina duke u përshtatur qëllimit të Serbisë, presidenti i së cilës kishte ardhur në Bruksel jo për propozimin e BE-së, por për targat”.

Sipas Kurtit, ai ka udhëtuar të hënën për në Bruksel për të biseduar marrëveshjen finale, pasi për këtë janë të thirrur liderët shtetërorë, e jo të merren me çështje teknike.

“Unë nuk jam as polic, as komandat stacioni, as shef kadastri e as zyrtar dogane që të merrem me çështjet teknike të cilat dalin për shkak të bisedimeve ne jemi shtet me institucione e organe përkatëse të cilët kanë shumë profesionit të zotë që merren me këso lloj çështjesh”.

Kurti më tej ka dhënë edhe një detaj interesant nga ky takim, sipas tij pasi bisedimet 8 orësh përfunduan pa asnjë marrëveshje i deleguar special i BE-së, Miroslav Lajçak, ka bërë edhe një përpjeke të fundit për ta bindur palën kosovare.

“Lajçak ka ardhur tek dhoma ku ndodhej delegacioni ynë dhe e bëri edhe një përpjeke të fundit për një tekst i cili do ta përfshinte edhe propozimin e BE-së. Mirëpo më pastaj na njoftoi që presidenti i Serbisë nuk e ka pranuar këtë, ndërkaq Borrell ndodhej në konferencë për media”.

Vendimi i Qeverisë së Kosovës për targat, sipas Kurtit, ka ardhur 2 muaj pas dështimit të negociatave gjashtë mujore me fajin e Serbisë e cila ka refuzuar të 8 opsionet në tavolinë për këtë çështje.

“Ne e kemi sjellë vendimin për targat me 28 qershor, kjo ka ndodhur meqenëse gjashtë muaj është negociuar për targat në Bruksel. Dhe në fund kanë qenë tetë opsione, prej këtyre tetë opsioneve nja tri kanë qenë më të përshtatshme për Kosovën ndërsa pesë jo, por Serbia nuk e ka pranuar asnjë i ka refuzuar të gjitha tetë opsionet ne luteshim që të mos vinte puna te ato pesë ndoshta vjen te këto tri, por nuk u bë asnjë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore