Kosova

Deputeti i VV-së: Vuçiç-it e Borellit as me revole s’u dorëzohet Kurti


Albin Kurti dhe Artan Abrashi

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Artan Abrashi, përmes një statusi në rrjetin e tij social në Facebook, ka bërë një krahasim ekstrem duke dashur ta përshkruajë qëndrimin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, në raport me qasjen e Kosovës në negociatat që u zhvilluan të hënën në Bruksel për çështjen e targave.

Sipas deputetit në fjalë, kryeministri Kurti nuk do “dorëzohej” ndaj presionit për çështjen e targave edhe nëse presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç e shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell do ta kishin kërcënuar atë me pendrek e revole.

“Vuçiç’i e Borrelli edhe po të kishin pasur pendrek e revole, Albini nuk ju kish lëshu pe, e lene mo që s’kanë pas”, ka shkruar Abrashi në rrjetin e tij social në Facebook.

Ndryshe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar përmes llogarisë në Twitter se ka pranuar kërkesën e SHBA-ve për të shtyrë vendimin për targat.

Kërkesa për shtyrje erdhi nga ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, përmes një njoftimi në Twitter.

Kurti, e ka falënderuar ambasadorin për “përkushtimin dhe angazhimin”, derisa ka shtuar se “e pranoj kërkesën e tij për shtyrje prej 48 orësh të gjobave për targat ilegale ‘KM’ dhe të tjera”.

Thirrja për shtyrje e ambasadorit vjen pas takimeve të shumtë e të gjatë në Bruksel, në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, presidentit serb, Aleksandër Vuçiç dhe ndërmjetësuesve të Brukselit, Josep Borell e Miroslav Lajcak.

Nga këto takime nuk u dol me një zgjidhje.

Siç u kuptua më vonë. BE-ja ka vendosur një propozim ku Kosovës i kërkon të shtyjë vendimin për gjobat e veturave me targa ilegale, ndërsa Serbisë që të ndalojë emetimin e atyre targave.

Vuçiç është pajtuar me propozimin.

Me propozimin për shtyrje është pajtuar edhe Kurti, por ka kërkuar që pjesë e kësaj marrëveshje të jetë caktimi i afatit për arritjen e një marrëveshje të përgjithshme për normalizim.

Ky ka qenë kushti i Kurtit që të pranojë vendimin, kjo është refuzuar dhe më pas palët kanë mbetur pa marrëveshje.

Vendimi për gjobat, siç ishte njoftuar, pritej të fillonte nga ora 8:00 e së martës.

Kurti shtyn vendimin për targat, pranon kërkesën e Amerikës

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore