Kosova

Vuçiç: Shkova për pajtim në Bruksel, jo të gjej qime në ve


Presidenti i Serbisë, ashtu siç ka njoftuar më herët, me fillim në orën shtatë u është drejtuar mediave në Serbi, për të sqaruar më shumë rreth bisedimeve tetëorëshe në Bruksel.

“Jam krenar për faktin se delegacioni i Serbisë erdhi në Bruksel me qëllimin e qartë për të biseduar dhe pajtuar, për të rënë dakord për kompromise, për të mos kërkuar qime në vezë dhe për të ruajtur paqen, jetën e njerëzve dhe stabilitetin në rajonin me çdo kusht”, deklaroi Vuçiç.

Ai shtoi se “përfaqësuesit e Serbisë kanë vepruar me përgjegjësi” sepse beson se “nuk ka nënë që do të dëshironte që fëmija i saj të kthehet në arkivol”.

“Kompromisi nuk është fjalë e keqe për ne”, shtoi Vuçiç, duke deklaruar se “Serbia ka bërë maksimumin dhe ka pranuar kërkesa të reja në disa raste”.

“Unë thashë që mund t’i hapim të gjitha temat, por duhet të zbatojmë atë që tashmë është nënshkruar dhe që është në fuqi. Kur e thua këtë, papritmas e sheh të gjithë pikën e problemit. Ata po mundohen të na thonë se ndoshta një ditë do të marrim Asociacionin, por vetëm kur të pranojmë të ashtuquajturën pavarësi të tyre. Ata nuk e kuptojnë se Asociacioni është produkt i Marrëveshjes së Brukselit dhe se ajo është nënshkruar nga dy palë, me nënshkrimin e BE-së… Si mund t’u besojmë atyre për ndonjë gjë në të ardhmen, nëse nuk janë në gjendje të respektojnë çfarë është nënshkruar në të kaluarën?”, tha Vuçiç.

“Edhe kur shqiptarët donin të përfshinin gjithçka në një marrëveshje për stabilizimin e marrëdhënieve, unë thashë se nuk kishte asnjë problem, por duhej të zbatohej ajo që ishte nënshkruar. Kur arrin te ajo temë, thonë se është firmosur nga ish-qeveria. Atëherë mund të shkulni vetëm flokët dhe nuk dini çfarë të bëni me veten. Kjo nuk ka kuptim. Me gjithë shqetësimet e mia, ne do të bëjmë gjithçka që mundemi dhe do të jemi gjithmonë të gatshëm për zgjidhje kompromisi dhe vazhdimin e bisedimeve”, shtoi Vuçiç.

“Serbia do të jetë shumë e përkushtuar ndaj paqes. Ne do të marrim me kujdes vendime për çdo lëvizje që bëjmë. Dua t’i them popullit të Kosovës se ne do të bëjmë çmos për t’i mbajtur ata të sigurt, por nëse dikush mendon se mund të bëjë dëbimin e popullit tonë, vrasjen dhe plagosjen e popullit tonë, do të doja të përsëris se ne do të qëndrojmë pranë popullit tonë serb dhe nuk do t’ju lëmë në baltë”, përfundoi fjalimin Vuçiç.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore