Kosova

Tahiri: Serbia vazhdon të kërkoj skenarë për ndarje të Veriut nga Kosova


Ish-kryenegociatorja e Kosovës në dialogun Kosovë - Serbi, Edita Tahiri.

Ish-kryenegociatorja e Kosovës në dialogun Kosovë – Serbi, Edita Tahiri, ka deklaruar se Serbia gjithmonë ka kërkuar skenarë për ndarjen e Veriut nga Kosova.

Kështu është shprehur Tahiri përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’.

“Serbia gjithnjë ka qenë në kërkim të pretekstit për skenarë të ndarjes së veriut nga Kosova, e ka shfaqur indirekt edhe në dialogun e Brukselit, sa isha kryenegociatore për shtatë vite nuk e lejova asnjëherë, madje kur ishte nevoja ua tregoja se tokat shqiptare shtrihen deri te “molla e kuqe”.

Sipas saj, edhe ngjarjet e fundit për targat e kanë një prapavijë.

“Këto tensione që po zhvillohen kanë për prapavijë ‘veriun’. Nuk është e rastësishme që Vuçiq sot i bëri thirrje SHBA-ve dhe NATO-s të ndërhyjë në veri për ta qetësuar situatën”, ka shkruar Tahiri.

Ndërsa, i ka bërë thirrje pushtetit e opozitës që të jenë në nivel të përgjegjësive.

“Prandaj, Qeveria e Kosovës por edhe gjithë spektri politik, pozitë dhe opozitë, duhet të jenë në nivelin e përgjegjësisë shtetërore dhe kombëtare për të mos lejuar skenarë që mund të destabilizojnë situatën dhe të çojnë ujë në mullirin e Vuçiqit”.

Ndërtimi i ngjarjes

“Lista Serbe” vendosi të shtunën e 5 nëntorit që pjesëtarët e saj të largohen nga institucionet e Kosovës.

Kjo, pas një takimi të zhvilluar në mesditën e së shtunës në Zveçan.

Serbët nuk do të kthehen në institucionet e Kosovës deri në momentin kur Qeveria e Kosovës do të tërheqë vendimin për targat dhe fillon formimin e Asociacionit për komunat me shumicë serbe.

Kryetari i Listës Serbe (njëkohësisht ministri për Komunitete dhe Kthim), Goran Rakiç, u dorëhoq nga pozita të cilën e ka drejtuar pak më shumë se një vjet e gjysmë.

Edhe Igor Simiç, i cili është deputet në radhët e Listës Serbe ka dhënë dorëheqje nga kjo pozitë.

Serbët kanë vendosur që të largohen edhe nga gjyqësori si dhe Policia.

“Ne kemi vendosur të largohemi nga të gjitha institucionet politike, Kuvendi, Qeveria, dhe nga katër komunat në veri të Kosovës, por edhe që të largohen serbët nga gjyqësori, policia si dhe stafi administrativ në katër komunat në veri”, theksoi Rakiç pas takimit.

Në anën tjetër zyrtarë të Policisë së Kosovës, pas vendimit të Listës Serbe për t’u larguar nga të gjitha institucionet kanë larguar nga trupi i tyre uniformat e Policisë së Kosovës.

Masa ‘paraprake’

Në Veri të Kosovës, përkatësisht në pikën kufitare në Jarinjë, është shtuar numri i pjesëtarëve të misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX).

Kjo, pas tërheqjes së “Listës Serbe” nga të gjitha institucionet e Kosovës.

Policë të EULEX-it nga kontingjenti polak janë duke qëndruar në Jarinje dhe po monitorojnë situatën nga afër.

Gjithashtu, në mes të Jarinjës dhe Mitrovicës së Veriut, edhe ushtarët e misionit paqeruajtës të NATO-s (KFOR-it) janë të stacionuar pranë rrugës kryesore.

Aktualisht, situata është e qetë dhe nuk raportohet për ndonjë incident.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore