Kosova

Borrell në Berlin bën thirrje për qëndrueshmëri e pajtim: Të kapërcehet trashëgimia e së kaluarës  


Procesi i Berlinit sipas shefit të diplomacisë evropiane, Josep Borrell, është demonstrim i qartë i angazhimit dhe partneritet të fuqishëm të Bashkimit Evropian me gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor.

Për përfaqësuesin e lartë të Bashkimit Evropian për Politikën e Jashtme, Borrell, i cili është pjesmarrës në samitin e radhës së Procesit të Berlinit, fjalët kyçe të cilët duhet ta preokupojnë gjatë muajve në vijim shtetet e Ballkanit Perëndimor, por jo vetëm, janë qëndrueshmëria dhe pajtimi.

“Anëtarët e ardhshëm të bashkëpunimit rajonal të BE-së nuk mund të shkëputen nga vlerat tona të përbashkëta. Ne po përgatisim mbështetjen për Ballkanin Perëndimor për të luftuar kërcënimet hibride”, ka shkruar Borrell në rrjetin e tij social në Twitter.

Sipas tij tre marrëveshjet që do të nënshkruhen, pra ato për njohjen reciproke të kartave të identitetit, diplomave universitare dhe kualifikimeve profesionale në kuadër të Procesit të Berlinit, janë hapa kyçe për qëndrueshmërinë ekonomike të rajonit.

“Ballkani Perëndimor duhet të jetë i qëndrueshëm, nuk duhet të ketë çarjen më të vogël që do të shërbente si vrimë për të ndërhyrë në rajon”, ka shtuar ai.

Borrell më tej ka bërë thirrje që shtetet e Ballkanit Perëndimor të kapërcejnë trashëgiminë e së kaluarës dhe të fokusohen në të ardhmen.

“Dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja po intensifikohet. Shpresoj për progres edhe këtë vit. Ndërtimi i së ardhmes së familjes së BE-së është përpjekja jonë e përbashkët”.

Procesi i Berlinit është një format i takimeve vjetore që qeveria gjermane, nën kancelaren Angela Merkel, inicioi në vitin 2014 kur u mbajt në Berlin Konferenca për Ballkanin Perëndimor.

Nga atëherë, në kuadër të këtij procesi, u mbajtën samite në Vjenë (2015), Paris (2016), Trieste (2017), Londër (2018) dhe Poznan (2019).

Qëllimi i procesit është përshpejtimi i bashkëpunimit mes gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe integrimi i këtij rajoni në BE.

Nisma fokusohet kryesisht në zgjidhjen e problemeve dypalëshe dhe të brendshme në rajon dhe përmirësimin e bashkëpunimit ekonomik, i cili do të ishte bazë për zhvillimin e qëndrueshëm të rajonit.

Si pjesë e Procesit të Berlinit, çdo vit organizohen një sërë takimesh vijuese të përfaqësuesve të politikës, biznesit dhe shoqërisë civile.

Këtë vit takimi i ministrave të punëve të brendshme u mbajt më 20 tetor, ndërsa i punëve të jashtme të vendeve pjesëmarrëse më 21 tetor.

Samiti i radhës i Procesit të Berlinit do të mbahet më 3 nëntor në Berlin, për herë të parë nën udhëheqjen e kancelarit të ri gjerman, Olaf Scholz.

Ai dhe liderët e gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor pritet të diskutojnë për tregun e përbashkët rajonal dhe operacionalizimin e tij, por jo vetëm.

Një nga synimet kryesore të Procesit Ballkanik, i cili pritet të diskutohet gjatë këtij takimi në mes të shteteve do të jetë edhe përmirësimi i furnizimit të rajonit me energji elektrike, veçanërisht në kushtet e krizës së fundit energjetike.

Ekskluzive në Albanian Post: Rruga drejt marrëveshjes dhe nënshkrimi i dokumentit final – çdo hap në detaje

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore