Kosova

“Stabiliteti i rajonit shumë i rëndësishëm në kontekstin aktual gjeopolitik”, Borrell tregon bisedën me Kurtin


Albin Kurti dhe Josep Borrell

“Sigurimi i stabilitetit dhe sigurisë në Ballkanin Perëndimor është edhe më i rëndësishëm në kontekstin aktual gjeopolitik”

Kështu ka shkruar Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, në një postim një rrjetin e tij social në Twitter, duke lajmëruar kështu bisedën telefonike që ky i fundit realizoi një ditë më parë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Sipas Borrell, me Kurtin, të premten, kanë pasur një diskutim të mirë sidomos për hapat e ardhshme në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja.

“Ne do të vazhdojmë të punojmë drejt një normalizimi gjithëpërfshirës të marrëdhënieve”, ka shtuar ai.

Se dialogu Kosovë-Serbi ka implikime rajonale, ka thënë edhe zëvendës-ndihmës sekretari i shtetit amerikan gjatë vizitës së tij të fundit në Kosovë.

Komuniteti ndërkombëtar e ka kuptuar që pajtimi në mes të Kosovës e Serbisë është e pamundur të ndodhë njëherësh dhe me një marrëveshje të përgjithshme finale, për shkak të qëndrimeve maksimaliste të palëve.

Mu për këtë arsye përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë Serbi, Miroslav Lajçak, dhe i deleguar amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ua kanë bërë të qartë kryeministrit të Kosovës dhe Presidentit të Serbisë, se “tema e Kosovës dhe Serbisë duhet të mbyllet para një vjetorit të fillimit të luftës në Ukrainë”.

Kështu thuhej edhe në skenarin e para-marrëveshjes, të cilën Albanian Post e kishte publikuar më 20 tetor.

Pajtimi i parë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, sipas këtij skenari duhet të arrihet më së largu deri me 24 shkurt. Serbia në këtë fazë s’ka nevojë ta ndryshojë Kushtetutën e saj. Njëjtë, Kosova duhet ta themelojë Asociacionin, por pa e ndryshuar Kushtetutën.

Asociacioni nuk do të jetë një OJQ, megjithatë, për momentin, nuk do të themelojë nivel të ri të pushtetit. Nëse arrihet pajtim, ka pako financiare. Nëse nuk arrihet, “shkop të rëndë” për palën penguese.

Ekskluzive: Kjo është rruga e para-marrëveshjes Kosovë – Serbi, gjithçka duhet të kryhet para datës 24 shkurt ose pason “shkopi i rëndë”

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore