Kosova

Fillon takimi Kurti-Lajçak, i dyti me radhë për më pak se 10 ditë


Miroslav Lajçak në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës

Tashmë i deleguari special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ka hyrë në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës, për ta takuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për të dytën herë me radhë në më pakë se dy muaj.

Takimi në fjalë nuk ishte i paralajmëruar më herët, njëjtë si ajo e para nëntë ditëve.

Temat të cilat do të diskutohen nuk dihen, përveç se tashmë është e qartë se biseda do të fokusohet në çështjen e dialogut Kosovë-Serbi.

Pas përfundimit të takimit nuk është paralajmëruar për ndonjë konferencë për media.

Përveç se nëse diplomati sllovak, siç rëndom vepron, flet përpara gazetarëve pa dhënë shumë detaje.

Për çka biseduan Kurti dhe Lajçak një javë më parë?

Diplomati sllovak, ishte i rezervuar, para kamerave kur u pyet për detajet e takimit që ai zhvilloi sot me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin dhe vartësin e tij, Besnik Bislimin.

Rruga drejt normalizimit në mes të Kosovës dhe Serbisë, tema e energjisë dhe ajo e targave, ishin temat e diskutuara në takimin me Kurtin dhe Bislimin, tregonte Lajçak pa u lëshuar në detaje.

“Nuk mund të ju jap detaje nga takimi”, kishte deklaruar ai me buzën në gaz.

“Çka mund të them është se takimi i sotëm ishte pjesë e komunikimeve të rregullta. Ishin dy çështje. E para ishte rruga drejt normalizimit dhe vazhdimi i diskutimeve që nisëm së fundmi që vazhduan edhe me intervenim të presidentit Macron e kancelarit Scholz dhe përfshirjen e Blinkenit. Diskutuam hapat e ardhshëm. Tema tjetër ishte ajo për energjinë dhe për targat”, ka thënë Lajçaku për gazetarët pas takimit.

Se dialogu Kosovë-Serbi, ka hyrë në një fazë të re, shumë më dinamike tashmë është e qartë.

Këtë dinamizëm, së fundmi, e kanë dëshmuar edhe vizitat e top-diplomatëve perëndimorë, Gabriel Escobar, dhe Miroslav Lajçak në Prishtinë dhe Beograd.

Komuniteti ndërkombëtar e ka kuptuar që pajtimi në mes të Kosovës e Serbisë është e pamundur të ndodhë njëherësh dhe me një marrëveshje të përgjithshme finale, për shkak të qëndrimeve maksimaliste të palëve.

Mu për këtë arsye përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë Serbi, Miroslav Lajçak, dhe i deleguar amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ua kanë bërë të qartë kryeministrit të Kosovës dhe Presidentit të Serbisë, se “tema e Kosovës dhe Serbisë duhet të mbyllet para një vjetorit të fillimit të luftës në Ukrainë”.

Kështu thuhej edhe në skenarin e para-marrëveshjes, të cilën Albanian Post e kishte publikuar më 20 tetor.

Pajtimi i parë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, sipas këtij skenari duhet të arrihet më së largu deri me 24 shkurt. Serbia në këtë fazë s’ka nevojë ta ndryshojë Kushtetutën e saj. Njëjtë, Kosova duhet ta themelojë Asociacionin, por pa e ndryshuar Kushtetutën.

Asociacioni nuk do të jetë një OJQ, megjithatë, për momentin, nuk do të themelojë nivel të ri të pushtetit. Nëse arrihet pajtim, ka pako financiare. Nëse nuk arrihet, “shkop të rëndë” për palën penguese.

Ekskluzive: Kjo është rruga e para-marrëveshjes Kosovë – Serbi, gjithçka duhet të kryhet para datës 24 shkurt ose pason “shkopi i rëndë”

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore