Kosova

AGK-ja dënon linçimin e gazetarëve të T7 dhe Express nga deputeti Sali Zyba


Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), ka reaguar ndaj sulmeve linçuese të deputetit Sali Zyba, kundër gazetarëve të televizionit T7 dhe Express.

Deputeti Zyba, nga Lëvizja Vetëvendosje, ka publikuar të mërkurën e 5 tetorit një videomontazh ku paraqet kryeredaktorin e televizionit T7, Arsim Lani dhe drejtorin e T7 dhe Gazeta Express, Leonard Kërquki duke prezantuar emisione të ndara të vitit 2016 dhe 2022 me mbishkrimin “E njëjta luftë e UÇK-së, i njëjti medium”.

Për AGK-në kjo video e postuar në rrjetin social Facebook “është thirrje për linçim të dy gazetarëve dhe mediumeve në fjalë, dhe paraqet rrezik direkt për sigurinë e tyre”.

Tutje, AGK-ja ka bërë thirrje të vazhdueshme që partia e cila udhëheqë me pushtetin ekzekutiv në Kosovë, t’i ndalë sulmet ndaj gazetarëve.

“Për të satën herë, AGK-ja fton deputetët dhe anëtarët e tjerë të Vetëvendosjes, që të mos përdorin fuqinë e tyre të pushtetit për të sulmuar mediat dhe gazetarët, në mënyrë që ata ta kryejnë punën e vet të papenguar, dhe pa presionin e vazhdueshëm të këtij pushteti”, thuhet në reagimin e tyre.

Ndryshe, në një video propagandistike të Lëvizjes Vetëvendosje prej 2 minutash e 7 sekonda, plotë 1 minutë e 40 sekonda nuk flitet për Qeverinë e Vetëvendosjes, por për qeveritë paraprake.

Me mesazh politik, por përplot pa saktësi, videoja dështon të ndërtojë narracionin që kërkon.

Ajo fillon me “shkatërruesit e Kosovës që nuk duan ta shohin mirë, për 20 vite kanë qeverisur vendin…”.

Në këtë fjali të tejpërsëritur autori nuk flet për ndonjë politikë të caktuar, por merr përsipër shpjegimin e ndjenjave të njerëzve se kush çka dëshiron të shohë mirë.

Më pas, thuhet se si Kosova u qeverisë nga këta shkatërrues që 20 vjet dhe supozohet se është qeverisur keq, meqë janë “shkatërrues”. Kosova para 20 vitesh as nuk ka ekzistuar si shtet, prandaj është e pamundur të kuptohet se çka saktësisht është shkatërruar.

Madje, po sipas Lëvizjes Vetëvendosje, Kosova ende nuk ekziston si shtet, sepse siç thoshte Kurti dikur “pavarësia në paketë nuk vjen”, duke kundërshtuar kështu opsionin e Pakos së Ahtisaar-it.

Qeveria Kurti I ishte një qeveri e arritur mes Albin Kurtit dhe Isa Mustafës së Lidhjes Demokratike të Kosovës, por në videon e LVV-së Mustafa e Hashim Thaçi paraqiten bashkë si një dyshe shkatërruese.

Ironia e videos është se janë paraqitur edhe disa pamje të Vetëvendosjes se si kishte protestuar si subjekt kundërshtues, por në këtë pjesë janë përdorur pamje nga një protestë e cila ishte organizuar pikërisht kundër planit të Ahtisaar-it, përmes të cilit erdhi edhe deri te shpallja e pavarësisë së Kosovës.

Pjesa tjetër flet për faktin se si i janë bërë të gjithë kundër Vetëvendosjes për ta rrëzuar herën e parë kur ishte në qeverisje. Bashkimi këtu prezantohet si diçka e keqe, diçka që nuk duhet bërë.

Ishte pikërisht Albin Kurti që, kur në vitin 2014 kishte fituar Partia Demokratike e Kosovës në zgjedhje, kishte dhënë propozimin që të gjitha partitë tjera të bëhen bashkë kundër PDK dhe të mos e lënë të formojë institucionet edhe pse ka fituar zgjedhjet.

Vetëvendosje kishte bllokuar seancat parlamentare, kishte hedhur gaz lotsjellës sa ishte në opozitë thirrur në kauzat që ata besonin. Por, tash kur partitë opozitare po e kundërshtojnë qeverinë, jo me gaz apo bllokim seancash, Vetëvendosje e konsideron angazhimin e tyre opozitar si “luftë ndaj shtetit”.

Përkundër se opozita nuk ka mekanizëm që të ushtrojë kapje ndaj ndonjë organizate, meqë nuk zotëron buxhetin e shtetit, Vetëvendosje thotë se opozita po e saboton shtetin përmes mekanizmave të kapur.

Kjo, sipas videos së publikuar nga Vetëvendosje, po i pengon ata që të “merremi me shtetin”.

E gjithë kjo po bëhet për një dëshirë krejt subjektive, sipas Vetëvendosjes.

“Nuk duan atë ta shohin tek lulëzon”.

Derisa thuhet kjo fjali, në pamje shkon Ramush Haradinaj, ish-komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Sipas kësaj videoje të Vetëvendosjes, përkundër se Haradinaj është plagosur disa herë vetë duke luftuar ai nuk dëshiron që Kosova të lulëzojë.

Më pas në klipin propagandistik thuhet edhe se po bëhet “zhurmë” si element ky pengues për të funksionuar qeveria.

Krejt ka fundi, flitet edhe për qeverinë.

Në përshkrimin për qeverinë nuk ka shifra, nuk ka të dhëna të punëve, përveç se gjeneralizme të tipit “u gjet në moment të duhur me krizën në ekonomi” dhe gjithashtu “do të merret” – jo është marruar – por “do të merret me energji”.

Sekondat e fundit janë rezervuar jo për të shpalosur jo ndonjë punë të kryer të qeverisë, por punët që e ka ndërmend t’i kryejë, siç është Vettingu për drejtësi, Byroja për Konfiskimin e Pasurisë dhe “hajnat do të japin përgjegjësi”.

Videoja e prodhuar nga Vetëvendosje i ngjan një spoti elektoral që opozita e bën për partinë në pushtet. Këto lloj videosh në terminologjinë e shkencave politike quhen si “kampanjë negative”, të cilat partia opozitare i bën për partitë në pushtet.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore