Kosova

Cramon – Grenellit: Vendimet e Kosovës s’janë të njëanshme, por reciproke


Raportuesja e Parlamentit Evropian për Kosovën, Viola von Kramon, i ka reaguar ish të dërguarit të posaçëm të SHBA-së për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell, pasi ky i fundit ka reaguar ashpër ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, të cilin e ka quajtur “fashist me përvojë” pas vendosjes se reciprocitetit me Serbinë.

“I dashur Rich, nuk është e njëanshme, është reciproke. Trajtim i barabartë për mbajtësit e letërnjoftimit. Herën tjetër, në vend që të riemërtoni Gazivodën në liqenin e Trumpit, ndoshta përpiquni të zgjidhni disa çështje specifike për njerëzit në veri të Kosovës. Gëzuar, shkroi Von Kramon në Twitter.

Të dielën, Grenell ka akuzuar Kurtin se ka ndërmarrë hapa njëanshëm për vendosjen e reciprocitetit ndaj Serbisë.

“Edhe njëherë, Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, një i majtë radikal dhe fashist me përvojë, njëanshëm ka vepruar për të ndalur targat serbe dhe letërnjoftimet në Kosovë. Mashtrim. Papërgjegjshmëri. Dhe, e panevojshme. Pse Sullivan dhe Blinken nuk po i thonë të ndalë metodat fashiste?”, ka shkruar Grenell në Twitter.

Ndryshe, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Qeveria do të vazhdojë me fushatë e informimit për gjithë qytetarët për targat, derisa ka theksuar se janë 9 barrikada në veri dhe ‘’presim që ato të hiqet gjatë ditës, të gjitha masat tona janë për ligjshmëri dhe kushtetutshmëri’’.

‘’Qeveria e përsërit zotimin që në momentin kur hiqet barrikadat dhe vendoset liria e plotë në të gjitha rrugët atje shtyhet vendimi i Qeverisë’’, tha Kurti gjatë një konference për media.

Ai ka thënë se ‘’e kuptojmë brengën e faktorëve ndërkombëtar, prandaj kemi shprehur gatishmërinë që zbatimi të shtyhet më 1 shtator, kur të hiqen barrikadat’’.

Policia e Kosovës ka njoftuar se së paku në katër raste natën e së dielës qytetarë shqiptarë janë maltretuar nga struktura kriminale në Veri.

Sipas raportit të policisë janë “katër raste ku qytetarët shqiptarë të cilët kanë qarkulluar në atë pjesë janë ndaluar dhe maltretuar”.

Gjithçka ka filluar mbrëmjen e vonë të së dielës kur Kosova dërgoi forca speciale në Veri, meqë nga 1 gushti do fillonte implementimi i vendimit për reciprocitetin e targave dhe gjithashtu reciprocitet për qytetarët e Serbisë që duan të futen në Kosovë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore