Kosova

Haki i (p)ABAZ-i


Haki Abazi dhe vendimi i KMShK-se

Ish-zëvendëskryeministri dhe aktualisht deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi, është ankuar në Këshillin e Mediave të Shkruara të Kosovës për një shkrim të publikuar në Albanian Post me titull “Zëdhënësja e Përjetshme e Pushtetit”, por, pas shqyrtimit të ankesës, KMShK, ka hedhur poshtë ankesën e Abazit si të pabazuar.

“Në mbledhjen e mbajtur më 5 korrik 2022, KMShK shqyrtoi ankesën e dërguar nga Haki Abazi kundër portalit të lajmeve Albanian Post lidhur me publikimin e lajmit me titull ‘Zëdhënësja e Përjetshme e Pushtetit’, dhe mori këtë vendim: Ankesa nuk miratohet”.

Abazi kishte pretenduar që me lajmin e publikuar nga Albanian Post është shkelur Kapitulli III (nxitja dhe gjuha e urrejtjes) i Kodit të Mediave.

“Pas leximit të ankesës, KMShK gjen se ankesa është e pabazuar. Pra, nuk miratohet”, thuhet në vendim.

Në ankesën e tij për KMShK-në, Abazi kishte pretenduar se nëpërmjet shkrimit “media ka nxitur urrejtje kundrejt tij” dhe kërkonte nga media kërkimfalje publike në lidhje me pretendimet në shkrim”.

“Në lidhje me pretendimin e ngritur nga ankuesi, KMShK gjen se gjuha e përdorur nuk është bërë mbi asnjë nga bazat e sanksionuara në Kod të Mediave. Pra, KMShK konstaton se nuk është shkelur kapitulli përkatës që ka të bëjë me nxitjen dhe gjuhën e urrejtjes. Andaj, KMShK vendos që ankesa të mos miratohet”.

Abazi problemin e kishte me portretizimin që i është bërë në shkrimin e Baton Haxhiut me titull “Zëdhënësja e Përjetshme e Pushtetit”.

Pos tjerash, Haxhiu shkruan se “në rrethana kur VV-ja dështon në qeverisje, gjuha elokuente e argumenteve politike duhet të zëvendësohet me zhurmën e linçeve, bulizmave, të sharave, ofendimeve, konspiracioneve, të zërave si Mimoza Kusari, Haki Abazi (shpeshëherë nëpërmjet veglës së tij personale, Jeta Xharrës) e Armend Muja. Kush e ka menduar ndryshimin në Kosovë me banditë, hajdut, thashethemxhinjë, injorantë si Mimoza Kusari, Agim Bahtiri, Valon Ramadani, Haki Abazi, Adnan Rrustemi, Martin Berishaj? Ja, kjo është Lëvizja Vetëvendosje”.

Abazi përmendet edhe në një pjesë tjetër të shkrimit, saktësisht në paragrafin e fundit.

Duke shtruar problemin e mos-mbajtjes së premtimeve nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Albin Kurti në raport me çfarë kishin thënë më herët për dialogun me Serbinë në Bruksel, Haxhiu shkruan: “Haki Abazi tha se ne nuk ‘negociojmë’, por ‘dialogojmë’. Thyerjen e premtimeve të VV-së, pra, thyerësi i krejt rekordeve të dallavereve, në bashkëpunim me shefin e kabinetit të Kurtit, Luan Dalipin, e arysetoi me një lojë boshe gjuhësore”.

Abazi përveçse largim të shkrimit, kishte kërkuar si masë edhe që mediumi t’i dedikojë një kërkim falje publike.

Por, meqë KMShK tashmë e ka nxjerr gabim Abazin, ai refuzon ta bëjë të njëjtën gjë vetë.

I kontaktuar nga Albanian Post, për ta komentuar vendimin e Këshillit të Mediave, ai pasi dëgjoi pyetjen mbylli telefonin.

Vendimi i KMShK-se

Nuk është hera e parë dhe forma e vetme e presionit që Abazi ushtron ndaj mediave, veçanërisht ndaj Albanian Post.

Ai më parë kishte kërcënuar mediumin, kur ishte kontaktuar nga një gazetar i Albanian Post.

Kërcënimi i Abazit është përmendur edhe në raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit, ku merrej si shembull se si kërcënohen mediat në Kosovë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore