Lajme

Largohu ose do shohësh protesta më masive – Populli paralajmëron presidentin e Sri Lankas


Populli i Sri Lankas e ka situatën më se të qartë dhe i ka dhënë presidentit Gotabaya Rajapaksa një ultimatum: Largohu, ose do të shohësh protesta të tmerrshme dhe akoma më masive se e para.

Në rrugë ende jozyrtare, Rajapaksa ka thënë se më 13 korrik, do të lërë mandatin. Në këtë premisë, ai u bëri thirrje protestuesve, të cilët e mësynë rezidencën e tij, të largohen dhe të lejojnë tranzicionin në mënyrë paqësore.

Mirëpo, kjo gjë, as që u mor në konsideratë nga populli i Sri Lankas. Njëzëri, ata thanë se do të qëndrojnë aty deri kur presidenti të lërë zyrtarisht postin dhe këtë, nuk e kanë vënë në diskutim për asnjë çast.

Padurimi sa duket ndërkohë është i madh tek popullata, pasi situata ekonomiko-sociale është më se e rënduar.

Vetëm të hënën e 11 korrikut, ngarkesat e para me naftë e gaz erdhën në Sri Lanka pas javësh thatësire energjetike.

Kjo gjithsesi, nuk e mbush boshllëkun e madh ekonomik të krijuar.

Ndihma të konsiderueshme ushqimore dhe mjekësore kanë mbërritur po ashtu në vend, pasi të tilla, prej kohësh ishin të mangëta në treg.

Inflacioni shkoi në maja historike në Sri Lanka, duke bërë që çmimet të ishin tërësisht të papërballueshme për popullin – gjë që shkaktoi edhe rebelimin e masës.

Në fundjavë, Colombo pa një dyndje masive dhe mësymje të rezidencës presidenciale nga mijëra njerëz, të cilët ende gjenden aty dhe presin dorëheqjen faktike të presidentit Gotabaya Rajapaksa.

Nga ana tjetër, demonstruesit i vunë flakën banesës së kryeministrit Ranil Wickremesinghe, për të dërguar mesazhin e qartë se askush nuk do të kursehet nga protestat.

Situata në Sri Lanka arriti kulmin e krizës, kur vendi shpalli falimentin nga keqmenaxhimi i resurseve dhe keqmenaxhimi i problematikave të ardhura nga lufta në Ukrainë dhe efekti i pas-pandemisë.

Ishulli kryesisht mbahet me turizëm, duke qenë se ka plazhe të shumta tropikale dhe një sistem hotelerie të zhvilluar, por pandemia e rrëzoi tërësisht përqindjen e vizitorëve.

Borxhet e njëpasnjëshme për të përballuar krizën gjithashtu bënë që vendi të merrte të tatëpjetën dhe ta kishte të pamundur shlyerjen.

Një tjetër aspekt me tepër rëndësi, ishte prodhimi pa kriter i parave, i cili bëri që monedha të zhvlerësohej më tej dhe të mbaronin rezervat në monedhë të huaj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore