Lajme

Protestuesit i vënë flakën shtëpisë së kryeministrit në Sri Lanka


Protestuesit e zemëruar kanë mësyrë shtëpinë e kryeministrit të Sri Lanka-s duke i vënë flakën.

Zyra e Kryeministrit sqaroi se një turmë qytetarësh hynë në rezidencën private të Wickremesinghe-s (Ranil Wickremesinghe – AP) dhe i vunë flakën.

Më pas ata dëmtuan automjetet që i përkisnin zyrtarit të lartë.

Lajmi u bë i ditur nga transmetuesi indian “New Delhi Television”.

Kryeministri më herët shprehu gatishmërinë e tij për të dhënë dorëheqjen.

Kjo, për t’i hapur rrugë një qeverie gjithëpartiake.

Pak minuta pasi Ranil Wickremesinghe njoftoi se ishte i gatshëm të jepte dorëheqjen si kryeministër i Sri Lanka-s, demonstrata u mbajtën jashtë rezidencës së tij.

Policia hodhi gaz lotsjellës mbi demonstruesit që po protestonin jashtë shtëpisë së tij.

Kriza filloi të shtunën me protestuesit që hynë në rezidencën zyrtare dhe zyrat e presidentit Gotabaya Rajapaksa, duke i kërkuar dorëheqjen.

Rajapaksa u largua nga rezidenca e tij zyrtare rreth orës 10 të mëngjesit me orën lokale.

Pamjet e filmuara treguan një numër të madh qytetarësh brenda shtëpisë së fortifikuar.

Ndërkohë, mijëra njerëz dolën në rrugët e kryeqytetit Colombo duke dënuar krizën më të keqe ekonomike të vendit në periudhën e fundit.

Policia hodhi më herët gaz lotsjellës ndaj protestuesve që rrethuan rezidencën ndërsa po lëviznin drejt portave kryesore.

Protestuesit përfundimisht thyen barrikadat dhe hynë në shtëpi.

Ata fajësojnë Rajapaksa-n për problemet ekonomike dhe kanë pushtuar hyrjen e zyrës së tij për tre muaj.

Mediat lokale raportuan se Rajapaksa-n e kishte informuar Wickremesinghe se do të respektonte vendimin e marrë në takimin e liderëve të partisë.

Në prill, Sri Lanka njoftoi se po pezullon shlyerjen e huave të huaja për shkak të mungesës së valutës së huaj.

Borxhi i përgjithshëm i saj i jashtëm arrin në 50 miliardë euro, nga të cilat duhet të shlyejë 27 miliardë euro deri në fund të vitit 2027.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore