Shqipëria

Kim takon presidentin e zgjedhur, Begaj: Presim me padurim vijimin e bashkëpunimit në detyrën e tij të re


Ambasadorja amerikane në Shqipëri, Yuri Kim, është takuar me presidentin e zgjedhur, Bajram Begaj, të martën e 14 qershorit.

Kim e ka uruar Begajn, duke i përsëritur mesazhin se “SHBA-të presin me padurim të vazhdojnë bashkëpunimin e shkëlqyer me të në detyrën e tij të re”.

Gjithashtu, “Ajo e uroi atë për zgjedhjen e tij si President i ardhshëm i Shqipërisë”, ka njoftuar në Facebook Ambasada.

Sakaq, ambasadorja Kim e ka falënderuar Begajn për kontributin e tij në forcimin e marrëdhënieve SHBA-Shqipëri si Shef i Shtabit, veçanërisht gjatë stërvitjes ushtarake Defender Europe 2021.

Po ashtu ka vënë në dukje se pret shumë takime të tjera me presidentin e zgjedhur Begaj gjatë presidencës së tij.

Ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura u zgjodh si president në seancën e 4 qershorit, me 78 vota pro, katër kundër dhe një abstenim.

Detyrën, ndërkaq, e merr zyrtarisht më 24 korrik, kur i mbaron mandati kreut aktual të shtetit, Ilir Meta.

Kush është Bajram Begaj

Begaj u lind më datë 20 mars të vitit 1967, në Rrogozhinë. Ai do të përfundonte studimet në Fakultetin e Mjekësisë në Degën Mjekësi e Përgjithshme në vitin 1989 dhe është titulluar oficer aktiv në specialitetin “Mjekësi” në vitin 1998.

Gjeneral Major Begaj ka përfunduar “Doktoraturën në Fushën e Mjekësisë”, në Shqipëri, si dhe mban titullin “Profesor i Asociuar” në Mjekësi.

Gjatë karrierës 31-vjeçare ushtarake ka kryer Kursin e Lartë për Sigurinë dhe Mbrojtjen; Shkollën e thelluar pasuniversitare të mjekësisë, Specializimin Pasuniversitar në profilin Gastrohepatologji, Kursin e menaxhimit spitalor dhe Kursin e lidershipit mjekësor strategjik, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe Kursin epecializimit në fushën e mjekësisë dhe Kursin e Shëndetësisë, në Greqi.

Sakaq, Gjeneral Major Begaj ka drejtuar stërvitjen ushtarake “Defender Europe 2021” dhe është një nga emrat, i cili gëzon konsideratë të lartë nga SHBA-të.

Ndërkohë që, në Forcat e Armatosura ka mbajtur një sërë detyrash, mes të cilave Komandant i Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes, Shef i Njësisë Mjekësore Ushtarake dhe Zëvendësdrejtor Ushtarak i SUT, Drejtor i Spitalit Ushtarak, Drejtor i Inspektoriatit Shëndetësor dhe Kryeinspektor dhe Këshilltar i Inspektoriatit Shëndetësor në Shtabin e Përgjithshëm Ushtarak Qendror Universitar.

Ai është i martuar dhe ka dy fëmijë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore