Kosova

Shpjegimi “fantastik” se si u balancua gjendja nga ngritja e çmimit të naftës – tregon Bislimi


Besnik Bislimi

Për zëvendëskryeministrin e parë të Kosovës, Besnik Bislimi, kërkesa e partive opozitare për ulje apo heqje të akcizës dhe TVSH-së për karburantet, nuk mund të quhet ndryshe përveç “sharlatanizëm dhe tendencë për t’i dëmtuar interesat bazike të vendit”.

Sipas Bislimit, paratë që ka mbledhur qeveria nga ngritja e çmimit të naftës i ka shumëzuar me shtatë dhe ua ka dhënë qytetarëve nga 100 euro.

Në një përmbledhje të tillë mund të reduktohet shpjegimi i stërthjeshtuar i krizës së madhe ekonomike në vend, sipas Besnik Bislimit.

“Në pesë mujorin e parë të vitit 2022, qeveria ka grumbulluar fiks 15 milionë euro më shumë nga importi i derivateve të naftës. Ndërkaq, ua ka kthyer qytetarëve për t’i kompensuar dëmet fiks 100 milionë euro për këtë masë. Pra, nuk është pasuruar qeveria”, ka thënë ai.

Qeveria e Kosovës fare mirë ka mundur të përgjysmojë TVSH-në për naftën aq sa ishte para rritjes së çmimeve, por nuk e ka bërë, ka thënë ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti.

Dyfish më shumë ngarkesë për qytetarin e ka quajtur Avdullah Hotin mosveprimin e qeverisë për të ulur TVSH-në në nivelin e para kësaj rritjeje të vazhdueshme të çmimeve.

“Kur çmimi i naftës në treg ishte 1 Euro, Qeveria mblidhte 14 centë TVSH për litër të naftës, siç shihet në tabelë në kolonën (e). Tani kur çmimi naftës sillet rreth 1.85 Euro, Qeveria mbledh 27 centë TVSH për litër, që është gati dyfish më shumë ngarkesë me TVSH për qytetarin”.

“Rrjedhimisht, Qeveria do të mund të përgjysmonte TVSH-në në naftë dhe prapë të mblidhte njësoj të hyra buxhetore. Pse nuk është bërë kjo deri më sot? Si mund të krenohet Qeveria për rritje të të hyrave kur kjo rritje vjen nga rritja e çmimit në kurriz të qytetarit?!”, shkroi Hoti në Facebook.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore