Kosova

Cramon për Danas: Krahasimi i Ukrainës dhe Kosovës në vitin 1999 nga Vuçiçi është i papranueshëm


“Krahasimi i Vuçiç-it i agresionit rus kundër Ukrainës me situatën në Kosovë në vitin 1999 është i papranueshëm. Ai e kupton që kjo luftë është shkelje e së drejtës ndërkombëtare, ne ramë dakord për këtë, por për çështjen e vitit 1999 ai ende e sheh Serbinë si viktimë, jo agresore”, tha Viola von Cramon  në një intervistë për Danas.

Deputetja e Parlamentit Evropian dhe raportuesja e Bashkimit Evropian për Kosovën, Viola von Cramon, ka qenë në Beograd, ku për herë të parë gjatë angazhimit të saj për çështjen e Kosovës, ka takuar presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç.

Biseda ka qenë e gjatë dhe e vështirë në disa pika, siç ishte paralajmëruar edhe më parë në media.

Një nga temat më të vështira ishte çështja e Kosovës.

Duke folur për çështjen e Kosovës, e cila është veçanërisht aktuale në kontekstin e luftës në Ukrainë dhe shkeljeve të së drejtës ndërkombëtare, Von Cramon theksoi se ajo dhe Vuçiç vetëm “janë dakorduar që të mos pajtohen”.

“Referencat e Vuçiç-it se situata në Ukrainë sot është e ngjashme me situatën në Kosovë në vitin 1999, janë diçka me të cilën vërtet nuk mund të pajtohem. Kemi pasur një bisedë të gjatë për situatën e vitit 1999 dhe pasojat kërcënuese që ka lënë lufta në shoqërinë serbe dhe mendoj se ka disa pikëpamje të gabuara”, tha Cramon.

Ajo theksoi se e kupton absolutisht se bombardimi i Serbisë dhe sanksionet perëndimore ishin “të tmerrshme” për njerëzit dhe se “nuk do ta mohonte kurrë”, por se konteksti politik në vitin 1999 dhe sot në Ukrainë  janë plotësisht të ndryshme.

Gjendja e sotme e dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës është e rënduar edhe më shumë nga krahasime të tilla, por siç potencon Cramon, dialogut i mungon gjithashtu një perspektivë e qartë dhe e besueshme evropiane për të dyja palët.

“Situata rreth dialogut duhet të relaksohet, për këtë duhet një qëndrim më konstruktiv i palës prishtinase, por edhe një perspektivë e besueshme evropiane. Të dy vendet duhet të bëhen anëtarë të Bashkimit Evropian, por procesi i zgjerimit aktualisht është i bllokuar”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore