Kosova

Ministri i Mbrojtjes së Kosovës nga SHBA udhëton për në Turqi


Armend Mehaj, Ministër i Mbrojtjes së Kosovës

Nuk u kthye fare në Kosovë.

Pas vizitës katër ditore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat i filloi më 12 maj, Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Armend Mehaj ka udhëtuar direkt për në Turqi.

Edhe në këtë shtet ka njoftuar se do të realizoj një vizitë katër ditore.

“Direkt kam udhëtuar për vizitë katër ditore në Republikën e Turqisë, me ftesë zyrtare të homologut tim, Ministrit të Mbrojtjes Kombëtare, Hulusi Akar”, ka shkruar Mehaj në llogarinë e tij në Facebook.

Por, vizita me homologun nuk është e vetmja, njofton Mehaj.

“Do të realizojë edhe vizita dhe takime në Presidencën Turke të Industrisë së Mbrojtjes, qendra akademike ushtarake, si dhe në kompanitë më të njohura turke të industrisë së mbrojtjes”.

Ministri i mbrojtjes ka njoftuar se do të realizoj një vizitë edhe në Konsullatën e Republikës së Kosovës në Stamboll.

“Vizitën përkatëse e realizoj në kuadër të objektivit tim strategjik për thellimin dhe intensifikimin e bashkëpunimit bilateral me vendet tona partnere”, ka shkruar Mehaj.

Gjatë qëndrimit në SHBA, Mehaj bashkë me shefin e Qeverisë së Kosovës u takuan me përfaqësues të Gardës Kombëtare të Iowa-s.

“Albin Kurti, Armend Mehaj dhe ekipi i tyre janë gjithmonë të mirëpritur në shtëpinë e tyre larg shtëpisë së tyre, këtu në Iowa ”, shkroi Garda Kombëtare e Iowa-s, përmes një cicërime në Twitter.

“Qëndrojmë së bashku si gjithmonë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.

Ndërkaq ministri kosovar i mbrojtjes, Armend Mehaj i falënderoi mikpritësit amerikanë për “partneritetin e fuqishëm të ndërsjellë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore