Kosova

Krasniqi për formimin e komisionit hetimor: Do ta zbardhim secilin fakt


Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, është deklaruar se përmes themelimit të Komisionit Hetimor Parlamentar do të zbardhet e vërteta sa i përket situatës me energji elektrike.

Kështu është shprehur Krasniqi përmes një shkrimi në rrjetin social, ‘Facebook’.

“Përmes themelimit të Komisionit Hetimor Parlamentar për menaxhimin e krizës energjetike, të nisur nga Partia Demokratike e Kosovës e me mbështetje të deputetëve opozitarë, do të zbardhim secilin fakt, do t’i japim përgjigje secilës pyetje dhe do të kërkojmë sqarim për secilin vendim që Qeveria ka marrë muajt e fundit në menaxhimin e krizës energjetike në vend”.

Ai tutje konsideron se përmes këtij komisioni do të bëhet e ditur edhe arsyeje pse qytetarët kanë qenë të detyruar të paguajnë më shtrenjtë energjinë.

“Mbi të gjitha, qytetarët e Kosovës do ta kuptojnë se pse Qeveria i detyroi të paguajnë 100 për qind më shtrenjtë energjinë elektrike në emër të importit, kur Kosova prodhoi mjaftueshëm energji”.

Kuvendi i Kosovës.

“Po ashtu, do të mësojmë se ku shkuan dhe si u shpenzuan mbi 100 milionë euro të cilat u ndanë për të subvencionuar energjinë”.

Krasniqi theksoi se do të sigurohen që qytetarët të kenë edhe “llogaridhënie dhe transparencë”.

Partitë opozitare dhe ato në pozitë janë dakorduar për formimin e dy Komisioneve Hetimore Parlamentare për Energjinë.

Njëri komision do të jetë sipas kërkesës së opozitës, për hetimin e menaxhimit të krizës në muajt e fundit, ndërsa tjetri me kërkesë të pushtetit, për çështjen e energjisë që nga viti 2006.

Kështu ka bërë të ditur në një konferencë për media, shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri.

“Pra, jemi pajtuar për formimin e dy komisioneve hetimore parlamentare. Ne nuk jemi kundër asnjë hetimi që mund të zbardh të vërtetat për atë së çfarë ka ndodhur. Ajo që është e rëndësishme është që tash kemi darkordim për këtë çështje”, deklaroi Tahiri para gazetarëve.

Ai shtoi se dy komisionet do të kenë agjendë dhe deputetë të ndryshëm, pra nuk interferojnë me njëra-tjetrën.

Seanca e Kuvendit të Kosovës, të enjten e 5 majit është përcjellur me tensione.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore