Kosova

Rikthehet kaosi në Kuvend, kësaj here shkaktari nuk është LVV


Seanca e Kuvendit të Kosovës ka rinisur me tensione, pas një pauze të shkurtër.

Këtë herë deputetët e partive opozitare përveç se kanë goditur tavolinat e kanë fishkëlluar, kanë larguar edhe kutinë e votimit në të cilën do të vendoseshin votat e deputetëve për zgjedhjen e dy kandidatëve për gjyqtarë në Gjykatën Kushtetuese, në shenjë proteste pasi që nuk u vazhdua seanca paraprake në të cilën parashihej formimi i komisionit hetimor për energjinë.

Ndonëse salla e seancës ishte përgatitur për votim, i pari që ka larguar kutin e votimit nga vendi ishte deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj.

Armend Zemaj, duke e larguar kutinë e votimit

Më pastaj, kutia u vendos në vendin e vetë nga deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Salih Zyba, por i menjëhershëm qe reagimi i Shefit të Grupit Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, i cili largojë kutinë e votimit, përsëri, në mënyrë më të vrazhdë, duke e përplasur atë në tokë.

Një gjë e tillë bëri që deputetët e pozitës dhe opozitës të mblidhen përpara foltores së kuvendit, për të shprehur mllefin njëri tjetrit.

Megjithatë situata nuk u përkeqësua më tej, pasi që Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka ndërhyrë duke thirrur mbledhje të kryesisë së Kuvendit.

Ai ka ftuar nënkryetarët e Kuvendit dhe shefat e Grupeve Parlamentare që të mbajnë mbledhje.

“Ftoj nënkryetarët e Kuvendit dhe shefat e grupeve parlamentare ta mbajmë një mbledhje të diskutojmë si do të vazhdojmë dhe pastaj kthehemi në orën 14:00”, ka thënë ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore