Kosova

Lirohet kosovari i arrestuar në Serbi, nesër mësohet pse u prangos


Policia e Serbisë.

Abaz Beqiraj, kosovari i cili ishte arrestuar të dielën nga policia serbe në kufirin Hungari-Serbi, është liruar të martën.

I kontaktuar nga Albanian Post, avokati mbrojtës i Beqirajt, Arianit Koci, ka thënë se arsyet e arrestimit të tij do të bëhen të ditura gjatë të mërkurës.

“Po është liruar gjatë ditës së sotme, arsyet pse është arrestuar nuk janë bërë të ditura akoma mirëpo gjatë ditës së nesërme do i bëjmë të ditura”.

Koci shtoi se, “Beqiraj do të arrijë në Kosovë të martën në mbrëmje”.

Abaz Beqiraj i arrestuari nga policia serbe të dielën.

Më 28 mars, Koci, ka thënë se kjo familje nuk ka asnjë informatë për arsyet e arrestimit të Abaz Beqirajt të dielën në Serbi.

“Abaz Beqiraj, dje është arrestuar nga policia serbe në kufirin Hungari-Serbi. Familja e Beqirajt, nuk e ka asnjë informatë për arsyet e arrestimit. MPJ e Kosovës, po ashtu, nuk ka arritur të siguroj asnjë informatë për rastin”, ka shkruar Koci në Facebook.

Ndërsa, Ministria e Punëve të Jashtme kishte dalur me reagim për  shtetasin e Republikës së Kosovës i cili ishte arrestuar në kufirin Serbi-Hungari.

“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës është informuar nga mediat që sot, në kufirin Hungari-Serbi, autoritetet serbe mund të kenë ndaluar një qytetar të Republikës Kosovës”, shkruan ata në një deklaratë në Facebook.

Edhe, Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Beograd kishte vendosur  kontaktin me autoritetet serbe në përpjekje për të sqaruar rrethanat.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore