Lajme

Putin do të godasë një vend të NATO-s, thotë gazeta spanjolle


Një ditë përpara nisjes së agresionit rus në Ukrainë, gazeta spanjolle “El Espanol”, pati marrë një mesazh nga një burim konfidenciale pranë zyrës së kryeministrit, që të mbanin një sy për nga Ukraina. Vetëm 12 orë më vonë, Vladimir Putin e nisi sulmin.

Njoftimi i radhës, ishte ai se kreu i Kremlinit, do të kishte për qëllim rrëzimin e Qeverisë në Kiev, duke hequr qafe presidentin Volodymyr Zelensky dhe duke vendosur një kabinet kukull. U faktua po ashtu në ditët e para të luftës.

Tashmë, diçka më shumë se një muaj pas nisjes së luftës, paralajmërimi i dytë, vjen po nga i njëjti burim pranë gazetës.

Këtë herë sidoqoftë, i përfshirë në ekuacion, është edhe një vend i aleancës më të fuqishme ushtarake në botë, NATO-s.

Burimi për “El Espanol” e konfirmon qartësisht se kjo gjë ka shumë gjasë të ndodhë. Por, specifikime se kur do të ndodhë, si do të ndodhë apo aq më pak, cili do të jetë vendi i sulmuar, nuk jepen.

Në bazë të raportimit të kryer nga media spanjolle, paralajmërimi ka ardhur nga vetë Amerika dhe Britania e Madhe.

Një tjetër aspekt interesant i përmendur në raportime, është fakti se sipas burimit të “El Espanol”, negociatat nuk janë gjë tjetër veçse një taktikë e Putinit, për të fituar pak kohë. Në këtë mënyrë, ai mund të furnizojë karvanët e tij ushtarakë në Ukrainë dhe këmbësorinë.

Vendimi i aleancës për të vendosur 40 mijë trupa ushtarake në Evropën Lindore, sipas gazetës, është po ashtu një lloj lajmërimi i heshtur se Perëndimi i ka indiciet për një sulm të mundshëm rus ndaj një vendi anëtar.

Ndaj, mbetur për t’u parë vërtetësia e gjithë narratives.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore