Kosova

Bislimi: Do t’i lejonim zgjedhjet serbe, por Qeveria e Serbisë s’na e kërkoi zyrtarisht


Besnik Bislimi

Zëvendëskryeministri i pari i Kosovës, Besnik Bislimi, ka potencuar se Qeveria e Kosovës është e gatshme të organizojë zgjedhjet e përgjithshme serbe në Kosovë, në rast se qeveria serbe drejtohet me një kërkesë zyrtare për këtë, e që sipas tij një gjë e tillë nuk ka ndodhur ende.

“Qeveria e Serbisë ka hezituar ti drejtohet Qeverisë së Kosovës për mbajtjen e zgjedhjeve dhe ka preferuar që kërkesën ta bëjë përmes zyrtarit ndërlidhës. Kërkesa i drejtohet institucionit vendimmarrës. Rrjedhimisht deri më tani ne jemi në pritje të kësaj kërkese nga Qeveria e Serbisë dhe ne pa një kërkesë të tillë ne nuk kemi substancë për vendimmarrje”, ka thënë Bislimi

Bislimi deklaratën e zëdhënësit të Bashkimit Evropian, Peter Stano, se Kosova ka refuzuar kërkesën e shteteve të QUINT-it për lejimin e mbajtjes së zgjedhjeve të përgjithshme serbe në Kosovë, e ka cilësuar si konstatim i pasaktë.

“Ne nuk kemi thënë që mbajtja e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë është jo kushtetuese, por kemi thënë që mbajtja e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë pa aprovim të institucioneve të Kosovës, është jo kushtetuese”.

Ai ka shtuar se nga vendet e QUINT-it deri tash kanë pranuar vetëm propozime për modalitete brenda të cilave do të mund të mbaheshin këto zgjedhje.

“Qeveria e Kosovës ka qenë e gatshme dhe mbetet e gatshme që të asistojë Qeverinë e Serbisë në rast se ajo dëshiron që qytetarët e Kosovës që kanë shtetësi të dyfishtë të marrin pjesë dhe të votojnë në zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale në Serbi, gjithnjë në harmoni përmes praktikave më të mira  të vendeve të OSBE-së ose të BE-së, praktika këto që i kemi të përjetuar në rastin e zgjedhjeve që Bullgaria i ka mbajtur në disa vende të BE-së apo Rumania”, u shpreh Bislimi.

Peter Stano

Ndryshe sipas zëdhënësit të BE-së, Peter Stano, Kosova ka refuzuar kërkesën e shteteve të QUINT-it për lejimin e mbajtjes së zgjedhjeve të përgjithshme serbe të 3 prillit në Kosovë.

“Edhe pse pranojmë që Serbia ishte gati për të gjetur një zgjidhje, shprehim keqardhje që nuk ka pasur konsensus midis palëve për të gjetur zgjidhje. Kosova refuzoi propozimin konstruktiv nga vendet e QUINT-it”, tha Peter Stano në një konferencë për media.

“Ky vendim”, u shpreh Stano, “konsiderojmë se është në kundërshtim me përkushtimin e Kosovës ndaj rrugës së saj evropiane dhe demokratike, dhe në kundërshtim me parimet e ruajtjes të së drejtës demokratike të të gjithë qytetarëve, përfshirë ato që u përkasin popullatës jo-shumicë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore