Shqipëria

Borrell: Duhet t’i nisim bisedimet për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë në BE


Presidenti maqedonas, Stevo Pendarovski, dhe përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri të BE-së, Josep Borrell.

Përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, të hënën e 14 marsit në Shkup e ka quajtur “sulm barbar” agresionin rus në Ukrainë.

“Në Ukrainë po ndodh një sulm barbar ndaj popullit ukrainas. E përsëris, sulm barbar nga ana e Putinit mbi popullin e Ukrainës, jo vetëm mbi objektet ushtarake, por edhe ndaj atyre civile. Forcat ruse po vazhdojnë sulmet raketore ndaj fqinjit paqësor, shkollave e spitaleve”, ka thënë Borrell.

Sipas tij, ky sulm paraqet shkelje te parimeve dhe të së drejtës ndërkombëtare.

“Asnjëherë në Evropë që nga lufta e Dytë Botërore nuk kemi parë lëvizje kaq të madhe të njerëzve që ikin nga lufta dhe bombat e armatës ruse… Lufta e Putinit nuk është vetëm për Ukrainën. Bëhet fjalë për mosrespektim të parimeve dhe të së drejtës ndërkombëtare, për sigurinë dhe stabilitetin e kontinentit evropian dhe kjo të gjithëve na prek”.

Ai po ashtu, ka bërë të ditur edhe sanksionet e reja që po përgatit Komisioni Evropian kundër Rusisë, e që do të përfshijnë tregjet kryesore, kriptovalutat, mallrat, çelikun, sektorin e industrisë, kompanitë dhe individë që mbështesin pushtetin e Putinin kundër Ukrainës, raporton Radio Evropa e Lirë.

Ndërkaq, duke folur për integrimin e Ballkanit Perëndimor në Bashkimi Evropian, Borrel deklaroi se vendi i Maqedonisë së Veriut është në Bashkimin Evropian.

Mirëpo, shtoi se nuk mund të japë premtime se kur mund të ndodh kjo.

“E di se keni pritje të caktuara dhe me të drejtë prisni. Edhe formalisht duhet tí nisim bisedimet e anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, sa më shpejt të jetë e mundur. Shpresoj se kjo do të jetë e mundur në konferencën e ardhme ndërqeveritare”.

“Por, gjithashtu përshëndes edhe impulsin e ri në raportet mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë dhe inkurajoj dy shtetet që të gjejnë një zgjidhje të përbashkët për çështjet dypalëshe pasi zgjerimi nuk mund të ndodhë kur kemi çështje të pazgjidhura dypalëshe”, deklaroi Borell.

Gjithashtu, është theksuar nevoja për vazhdimin e reformave në drejtësi, në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, agjendën e gjelbër, digjitalizimin e reforma tjera.

Në anën tjetër, kryeministri maqedonas, Dimitar Kovaçevski, ka kërkuar nga BE-ja që të mos e zvarrisë nisjen e bisedimeve me Maqedoninë e Veriut.

Kovaçevski u shpreh se përveç zgjidhjes së kontestit me Bullgarinë, Shkupi është i fokusuar edhe në përmbushjen e reformave me qëllim përjashtimin e integrimit.

“Me rëndësi të madhe është që BE-ja dhe shtetet anëtare maksimalisht të përfshihen në këtë proces pasi zgjerimi i BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor është çështje strategjike dhe e sigurisë. Integrimi nënkupton përkushtim të përbashkët për ndërtimin e një Evrope të bashkuar stabile, të fuqishme dhe të sigurt, si një shtëpi e vlerave demokratike dhe civilizuese. Vendet e Ballkanit janë shumë të lidhura me njëra-tjetrën dhe përparimi i njërit shtet, nxit zhvillimin e shtetit tjetër”, deklaroi Kovacevski.

Ai konsideron se zgjerimi duhet të ndodhë sa më parë pasi lufta në Ukrainë po e rritë mundësinë e ndikimit të palëve të treta në rajon.

Ai tha se zgjerimi duhet të ndodhë sa më parë pasi lufta në Ukrainë po e rritë mundësinë e ndikimit e palëve të treta në rajon, andaj kjo, sipas Kovaçevskit, kërkon përkushtim maksimal në përshpejtimin e integrimit evropian të rajonit.

Përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri i BE-së, Josep Borrell, pas Maqedonisë së Veriut, do ta vizitojë edhe Shqipërinë dhe Bosnje e Hercegovinën.

Siç është njoftuar nga BE-ja, ky turne i Borrellit do të riafirmojë përkushtimin dhe mbështetjen e BE-së për rajonin, për shkak të luftës së Rusisë ndaj Ukrainës dhe për ndikimin e kësaj lufte në sigurinë e Evropës, si tërësi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore