Kosova

Opozita sërish kërkon shkarkimin e bordit të ShSKUK-së


Komisioni për Shëndetësi.

Anëtarët e Komisionit për Shëndetësi, kanë ripërsëritur kërkesën ndaj ministrit të Shëndetësisë, Rifat Latifi, që të shkarkohet bordi i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (ShSKUK).

Kjo kërkesë erdhi nga deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bekim Haxhiu, i cili u shpreh se për një kohë të gjatë kanë kërkuar që shëndetësia të jetë prioritet.

“Çështja për listat e pritjes sa pacientëve për operacione dhe procedura diagnostikuese janë rritë, a ka ministër llogaridhënie. Më intereson ta di a do vazhdoni me këtë bord të lajthitjes që e ka vënë në lajthitje edhe Ministrinë”.

“Nuk mund të pritet koordinim mes Ministrisë së Shëndetësisë dhe komisionit parlamentar dhe Bordit të SHSKUK-së andaj është koha të shkarkohet bordi i ShSKUK-së”, tha Haxhiu.

Kritika të ngjashme për bordin e ShSKUK-së, pati edhe deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Shemsedin Dreshaj, i cili konsideron se asnjë Qeveri në Kosovë nuk e ka pasur prioritet shëndetësinë.

Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi.

Ndërkaq për avancimin e shkencës në Universitetin e Prishtinës, ai tha se ka “zero financa”.

Dreshaj, ka apeluar që specializimi të mos ndodh siç ka ndodhë deri tash çdo 4-5 vjet.

Pasi sipas tij, “lista e pritjeve në ShSKUK është e dhimbshme, duke shtuar se e dhimbshme është edhe Lista Esenciale”.

Në anën tjetër Latifi ka thënë se nëse duan t’i përgatisin specializantët “ata duhet me dalë prej oborrit tonë”.

“Edhe specializimet edhe Ligjit për Shëndetësi që na mundëson riorganizimin në këtë gjigand të fjetur do të punohen paralelisht. E lexova një artikull të vitit 2008 me titull : A mund të reanimohet shëndetësia në Kosovë? Tash ja boj pyetjen e njëjtë por tash besoj që mundet”, ka thënë ai.

Gjatë raportimit në këtë mision ai u shpreh se është duke synuar procesin e akreditimeve të programeve siç është ai i programeve të specializimeve, programeve publike dhe private, akreditimi i qendrave të ekselencës, kancerit të gjirit, onkologjisë e disa të tjera.

“Disa prej këtyre duhet ndryshime e plotësime. Kemi edhe 16 udhëzime e rregullore që do ta ndihmojnë shumë shëndetësinë e Kosovës. Shpesh keni dëgjuar për 7 shtyllat. Programi legjislativ, masat ligjore, kthimi i ekspertëve por edhe ruajtja e ekspertëve që i kemi brenda. Duhet të jemi kreativ me format që t’ua lehtësojmë kthimin”.

“Shtylla e tretë është Qendra Klinike të Ekselencës dhe Shërbime të avancuara. Shtylla e katër janë kërkimet shkencore dhe krijimi i kapaciteteve hulumtuese në vendin tonë. Në fushën e mjekësisë jemi gati në fund të listës. Vitin 2019 kemi qenë në fund ndërsa në vitin 2020 nuk jemi në listë fare. E jashtëzakonshme është shpërndarja e hulumtuesve dhe shkencëtarëve”, tha Latifi.

Një tjetër problem me të cilën vazhdon të ballafaqohet Kosova është decentralizimi spitalor.

“Ne duhet me u ul bashkërisht dhe me bisedu për decentralizimin spitalor që e kemi. Është mirë me analizu procesin sepse kemi njerëz shumë të mençur në Kosovë dhe ndoshta na duhet edhe ekspert nga jashtë. Duhet me analizu se çka ka dalë mirë nga ShSKUK-ja”, tha Latifi.

Edhe me 2 mars, Komisioni Parlamentar për Shëndetësi, ka shprehur shqetësime rreth listave të pritjes në kuadër të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar, duke adresuar kritika rreth bordit të këtij institucioni.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore