Shqipëria

Hoxha: Rusët po shënjestrojnë gjithçka nga inati i dështimit, do të mbajnë përgjegjësi


Ambasadori i përhershëm i Shqipërisë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, Ferit Hoxha, ka mbajtur fjalën e radhës në mbledhjen e fundit të Këshillit të Sigurimit, ku ka theksuar kushtet e tmerrshme që fëmijët dhe civilët e pafajshëm po kalojnë gjatë këtyre ditëve pas agresionit rus, si edhe ka nënvizuar faktin se asgjë, nuk i përligj veprimet ruse.

Gjithçka sipas ambasadorit, po ndodh për shkak të një inati rus, mbi bazën e dështimit të tyre, të cilin e ka shkaktuar rezistenca ukrainase.

“Nëse dikush në Rusi mendon se do ia hedhin paq me çfarë po ndodh në Ukrainë, ta harrojë. Do të mbahet përgjegjësi. Ky agresion është ligjërisht i pajustifikuar dhe moralisht i palejuar”, ka thënë Hoxha gjatë fjalës së tij.

Ai e përkufizoi krizën e shkaktuar të refugjatëve si më të madhen pas Luftës së Dytë Botërore. E gjithë kjo për të, e shkaktuar artificialisht dhe pa shkak.

“Lufta që Rusia po bën, po kthehet në obsesion. Të ushqyer nga inati i rezistencës ukrainase, po kthejnë në shënjestër çdo gjë”, vijoi Hoxha.

Ai po ashtu u ndal edhe në faktin e një manipulimi mediatik që po i bëhet luftimeve në Moskë, duke nxjerrë jashtë loje televizionet e pavarura dhe raportimet serioze.

Këtu, ambasadori nuk ngurroi të përmendte as faktin se vetë Shqipëria e ka kaluar një fazë të tillë gjatë regjimit komunist. Pikërisht për këtë fakt, ai theksoi se nëse media shtypet, kjo është shenja e qartë e një diktature tërësore në një vend.

Ndërsa, në fund të fjalës, përshëndeti edhe kalimin e projekt-rezolutës së Shqipërisë në mbështetje të Ukrainës, e cila u miratua unanimisht nga Kuvendi i Shqipërisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore