Kosova

Anëtarësimi i Kosovës në BE me procedurë të përshpejtuar, Cramon: Politikanët mos t’i mashtrojnë qytetarët


Viola von Cramon

Eurodeputetja gjermane dhe raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, e ka quajtur irrituese dhe të tmerrshme protestën e ditës së shtunë në Serbi për të përkrahur agresionin rus në Ukrainë.

“Të gjithë ne jemi të prekur nga situata në Ukrainë. Unë nuk shohë ndonjë paralele në bazë të gjendjes në Moskë dhe asaj në Beograd. Kemi parë demonstrata në Beograd që ka qenë në mbrojtje të Rusisë dhe kjo ka qenë irrituese për ne. Kur flet me popullatën në Veri të Kosovës e kupton se ata nuk duan tensione, nuk kanë interes që të kenë provokime”, ka thënë von Cramon në një konferencë për media.

Cramon,  gjatë konferencës ka shprehur skepticizmin e saj për anëtarësimin e Kosovës në Bashkimin Evropian me procedura të përshpejtuara.

“Për Ballkanin Perëndimor nuk ka ndonjë procedurë të përshpejtuar, duhet kaluar në proces bukur të vështirë të reformave. Në këtë kontekst liberalizimi i vizave për kosovarët është hapi i parë, pastaj përfundimi i dialogut e tani mund të fillojmë rrugën normale për anëtarësimin e Kosovës në union”, ka shtuar ajo.

“Do të doja që politikanët në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor të mos i rrisin pritshmërinë në popullatë se do të mund të anëtarësohen në BE me procedura të përshpejtuar”.

Megjithatë, Cramon ka potencuar se pezullimi i Rusisë nga Këshilli i Evropës është mundësi e mirë për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë multilaterale.

“Po është mundësi e mirë për të dëshmuar se Kosova i ka përmbushur gjitha kushtet për t’u bërë anëtarë e Këshillit të Evropës, meqenëse edhe Rusia është e pezulluar nga kjo organizatë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore