Kosova

Viola von Cramon të enjten në Kosovë, takohet me Konjufcën


Viola von Cramon

Eurodeputetja gjermane në Parlamentin Evropian dhe raportuesja për Kosovën, Viola von Cramon, të enjten e 3 marsit do të ketë një vizitë zyrtare në Kosovë.

Këtë e ka bërë të ditur përmes një njoftimi Kuvendi i Kosovës, ku ka treguar se von Cramon, do të zhvillojë një takim me Kryeparlamentarin, Glauk Konjufca, me fillim në ora 9:00.

“Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, pret në takim Raportuesen për Kosovë në Parlamentin Evropian, znj. Viola von Cramon”, thuhet në njoftim.

Viola Von Cramon, në Kuvendin e Kosovës në margjinat e takimit të shtatë të Komisionit Parlamentar për Stabilizim-Asociim Bashkimi Evropian– Kosovë

Ndryshe von Cramon kishte vizituar Kosovën më 4 nëntor të vitit të kaluar në margjinat e takimit të shtatë të Komisionit Parlamentar për Stabilizim-Asociim Bashkimi Evropian– Kosovë, ku kishte potencuar rendësin e dialogut Kosovë-Serbi, pasi sipas saj bisedimet janë elementi kryesor për rrugëtimin e të dyja vendeve drejt Bashkimit Evropian.

“Pa një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, pranimin në BE nuk do të ndodh për të dyja vendet, iniciativa e BE-së për dialog duhet të shërbejë edhe Kosovës edhe Serbisë në atë mënyrë që të krijohet një marrëdhënie e qëndrueshme”, kishte pohuar Cramon.

Sipas saj institucionet e Kosovës, dialogun duhet ta prioritizonin, si dhe të krijojnë platforma në atë mënyrë që të bisedojnë edhe me serbët e Kosovës.

“Pa dyshim është e nevojshme që Kosova të angazhohet me kapacitetet e plota në këtë proces në mënyrë që të ketë rezultate pozitive, Dialogu nuk duhet të jetë i limituar vetëm në Bruksel, Kryeministri Kurti ka thënë që do të organizojë dialogun edhe me serbët e Kosovës, që duhet të jetë një hap esencial për të arritur kohezion në rrugën drejtë përfundimit të dialogut”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore