Lajme

Zelensky: E ardhmja e sigurisë evropiane po vendoset në Ukrainë


“E ardhmja e sigurisë evropiane po vendoset tani, këtu në Ukrainë”.

Kjo është deklarata e presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, të mërkurën e 23 shkurtit në një konferencë të përbashkët shtypi me homologët e tij nga Lituania dhe Polonia pas bisedimeve të tyre në Kiev, Ukrainë.

Duke folur së bashku me liderët polakë dhe lituanianë, Zelensky tha se “ne jemi unanim në vlerësimin tonë për krimet e Federatës Ruse. Ky është një akt tjetër agresioni kundër Ukrainës, sovranitetit të saj, integritetit tonë territorial”.

Zelensky bëri thirrje për një regjim të ashpër sanksionesh kundër Rusisë.

Presidenti i SHBA-ve, Joe Biden tha të martën se SHBA do të sanksionojë institucionet financiare dhe oligarkët e Rusisë. Mbretëria e Bashkuar, Bashkimi Evropian, Kanadaja, Australia dhe Japonia gjithashtu njoftuan sanksione të reja ndaj Rusisë.

“Prania ushtarake e Federatës Ruse në territorin e okupuar të Donbas-it është fshehur pas uniformës separatiste”, tha ai.

“Tani ne shohim se ky është një largim i njëanshëm nga marrëveshjet e Minskut”, shtoi ai, duke iu referuar njoftimit të Rusisë se marrëveshja e Minskut, e krijuar për të sjellë paqe në rajonet lindore të Ukrainës, nuk zbatohet më.

Sipas Zelensky-t, ky është një minim i përpjekjeve ukrainase dhe ndërkombëtare për të rregulluar situatën në Donbas-in ukrainas.

“Përgjigja e bashkësisë ndërkombëtare ndaj këtij krimi duhet të jetë vendimtare, e menjëhershme dhe e ashpër. Ne duhet të ndalojmë plotësisht projektin Nord Stream, i cili është një armë që tashmë po përdoret kundër Ukrainës dhe Evropës”.

Gjermania ditën e djeshme, tha se ndaloi certifikimin e tubacionit prej 11 miliardë dollarësh 750 milje që lidh Rusinë drejtpërdrejt me Gjermaninë. Projekti Nord Stream 2 përfundoi në shtator, por ende nuk ka marrë dritën jeshile përfundimtare nga rregullatorët gjermanë.

Duke qëndruar pranë Zelensky-t, presidenti polak Andrzej Duda tha se “ne të gjithë po ecim në rrugën e ngushtë midis paqes dhe zhvillimit të mëtejshëm të qëndrueshëm dhe luftës. Polonia dënon vendimin e Putin-it për njohjen”.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore