Kosova

Haradinaj falënderon SHBA-të për donacionin e vaksinave


Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka falënderuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), për dhurimin e kontingjentit me mbi 500 mijë doza të vaksinës Pfizer.

“Edhe gjysmë milionë doza të vaksinës nga Shtetet e Bashkuara, donacion për vendin tonë. Faleminderit Amerikë!”, ka shkruar Haradinaj në një postim në “Facebook”.

Flamuri i Kosovës dhe i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Mbi 500 mijë doza të vaksinës Pfizer, të siguruara nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka pranuar këtë të premte Kosova.

Pas pranimit të këtij kontingjenti, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në konferencën për media falënderoi ShBA-në për donacionin.

“Më lejoni që në emër të qeverisë të falënderoj ShBA-në dhe iniciativën COVAX për dhurimin e vaksinave. Për këtë jemi përjetësisht mirënjohës”, tha ai.

Albin Kurti, Kryeministër i Kosovës

Kurti, po ashtu, shtoi se lirimi i masave varet nga niveli i vaksinimit të qytetarëve

“Në një kohë kur rastet e infektimit janë duke rënë, disa mund të pyesin pse vaksinat vazhdojnë të jenë të domodosshme”.

Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi ka thënë se ky donacion është siguruar nga presidenti amerikan Joe Biden.

“Po bëjmë pranimin e kontingjentit prej 515 mijë e 970 dozave të vaksinës kundër Covid-19 të siguruar nga presidentit i Shteteve të Amerikës Joe Biden dhe shteti mik i Kosovës”, ka thënë Latifi.

Latifi tha se stokut të vaksinave në MSH u janë shtuar edhe mbi 500 mijë vaksina kundër Covid-19.

“Me këtë dhuratë nga ShBA-të, stokut të vaksinave që MSh-ja i ka në dispozicion për qytetarët tanë i shtohen edhe mbi 500 mijë doza të tjera për të ndihmuar edhe më tej luftën kundër Covid-19”, ka thënë ai.

Ministri më tutje u ka bërë thirrje qytetarëve mbi moshën 12 vjeçare që të vaksinohen kundër COVID-19.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore