Shqipëria

“Basha humbjet i shpall si fitore”, kështu mendon Meta


Presidenti i Republikës, Ilir Meta, mendon se kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, humbjet e tija në zgjedhje, i shpall si fitore.

Akuzat e Metës, shtrihen deri në aspektin e bërjes së Bashës përgjegjës, për pretendimin mbi “hedhjen në erë të pluralizmit politik në Shqipëri”.

“Ai, dogji mandatet dhe i dorëzoi të gjitha institucionet e pavarura tek Edi Rama. Bojkotoi reformën në drejtësi dhe i dorëzoi edhe pushtetin vendor, duke mos pasur opozita asnjë këshilltar në të gjithë Bashkitë e vendit”, radhiti presidenti.

Mbi Bashën, ai artikulon se “është dështim dhe i shantazhueshëm në çdo aspekt”.

Këtë aludim, Meta e paralelizon me një tjetër, ku thekson se Basha është shërbëtor i devotshëm i kryeministrit Rama. Kjo, për të bërë të mundur kapjen e shtetit dhe reformës në drejtësi.

“Basha në thelb është një politikan absurd, pa koherencë”, vijon ai.

Ndërsa, nuk harron të ndalet edhe të flasë për veten, duke thënë se ka një kontribut thelbësor për miratimin e reformës në drejtësi në Kuvend, me 140 vota pro.

Mbi fatin e tij politik, Meta e ka nënvizuar sërish faktin se pas 24 korrikut, ai do të gjendet në shesh-betejë.

“Unë raportin e kam popullin tim dhe e kam të shkëlqyer. Unë raportin e kam vetëm me popullin shqiptar dhe atij do t’i drejtohem pas 24 korrikut”.

Pikërisht ky popull sipas Metës, e ka kuptuar se ndryshimi do të ndodhë. Ndaj, me përfundimin e mandatit, ai do t’i drejtohet vetëm popullit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore