Kosova

Reagon Qeveria pas arrestimit të kameramanit: Policia të respektojë punonjësit e mediave


Përparim Kryeziu

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, ka reaguar pas arrestimit në mënyrë të dhunshme të kameramanit të agjencisë së lajmeve, Ekonomia Online, nga Policia e Kosovës, ka potencuar se ky institucion duhet të synojë gjithmonë mirëkuptimin për punën e punonjësve të mediave dhe t’ju mundësojnë hapësirë për raportim në ngjarjet publike.

Për Kryeziun, liria e medias është vlerë themelore e demokracisë dhe se Qeveria angazhohet për krijimin e një ambienti sa më të favorshme dhe më të sigurt për punën.

“Institucionet e rendit dhe ligjit e kanë përgjegjësi të bëjnë punën në mënyrë profesionale dhe brenda kornizave ligjore, duke respektuar të drejtat e secilit e duke mbrojtur secilin nga padrejtësitë”, ka shkruar Kryeziu në rrjetin e tij social në Facebook.

Ai madje ka bërë të ditur se Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka kërkuar nga Inspektoriati Policor i Kosovës të fillojë hetimet për rastin.

Ndryshe Policia e Kosovës e cila ishte prezentë me një numër të madh të pjesëtarëve në zyrat e ndërmarrjes “AgroKosova Holding” ku po kryente një aksion operacional, ka arrestuar në mënyrë të dhunshme kameramanin e agjencisë së lajmeve, Ekonomia Online, i cili po kryente detyrën e tij duke raportuar.

Sipas gazetares, e cila e po ashtu ishte në vendin e ngjarjes, arrestimi ka ardhur pasi kameramani ka kërkuar nga Policia që mos ta shtyjnë sepse rrezikohen pajisjet e punës.

“Tash po dal vetë jashtë”, ka thënë kameramani, por pjesëtarët e Policisë e kanë arrestuar dhe e kanë shoqëruar me forcë deri në veturën e tyre.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore