Kosova

Kurti: Qytetarët nuk kanë nevojë për asociacione që na shtojnë tensione e prishin raporte


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se është i gatshëm për të udhëtuar në Bruksel për të dialoguar sa herë që të thërrasë Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për politika të jashtme Josep Borrell.

“E duam dialogun për marrëveshje e jo dialog për dialog. Ky nënkupton se marrëveshje si marrëveshje për raportet tona, çfarë marrëdhënie do të kemi Kosova me Serbinë, e besojmë se duhet të jenë normale, patjetër në qendër ta kenë njohjen reciproke. Është një shteg i qartë, i saktë dhe i mirë për të cilin natyrisht kemi shprehur qëndrimet tona, por edhe qasjen tonë konstruktive”, tha Kurti në konferencë për media.

Ai u pyet edhe sa i përket Asociacionit të komunave me shumicë serbe, të cilat sipas tij bien ndesh me Kushtetutën e Kosovës.

“Se ka kaluar testin e Gjykatës Kushtetuese. Besoj se edhe serbët në Kosovë, porsi shqiptarët, turqit, boshnjakët, romët, egjiptianët, ashkalinjtë, e gjithë qytetarët, kanë nevojë për drejtësi e punës, e jo për asociacione që na shtojnë tensione e na prishin raportet tona dhe e gëzojnë dikë në Beograd. Nuk ka qenë asnjëherë kërkesë e serbëve të Kosovës formimi i Asociacionit”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kryeministri u shpreh se duhet të bëhet edhe dallimi i kërkesave dhe personave që bëjnë ato.

“Duhet dalluar kërkesat që vinë nga poshtë e që kanë karakter demokratik e shoqëror, prej kërkesave që vinë nga lartë e që kanë karakter jodemokratik e hegjemonik. Pra Qeveria e Kosovës është e përkushtuar që kushtetutshmëria e ligjshmëria në gjithë territorin e Kosovës të respektohet e të zbatohet në mënyrë të plotë. Për të gjitha kërkesat e serbëve të Kosovës unë jam kryeministër edhe i tyre”.

Për emërimin e bordeve të reja tre ndërmarrjeve, Trepça dhe KEK, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se këto borde do të mund të funksionojnë më mirë.

“Trepça dhe KEK-u do të mund të funksionojnë më mirë për shkak që i kanë bordet e rregullta. I bëj thirrje profesionistëve që kur të shpallim konkursin të aplikojnë, për shkak që duam të kemi njerëz me kompetencë në këto ndërmarrje”, deklaroi Kurti në konferencë për media.

Ai u ka bërë thirrje që të ketë aplikime sa më profesionale kur të shpallen konkurse në ndërmarrje publike.

“Në Trepçë i kemi 5 anëtarë e na duhen edhe 4, i bëj thirrje grave si dhe pjesëtarëve të pakicave. Ndërsa në KEK i kemi 6 anëtarë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore