Kosova

PSD-ja: Organet e drejtësisë janë vënë në shërbim të pushtetit të Kurtit


Kreu i PSD-së, Dardan Molliqaj

Partia Socialdemokrate (PSD), ka reaguar pas arrestimit të kreut të kësaj partie, Dardan Molliqaj, sipas PSD-së organet e drejtësisë janë vënë në shërbim të pushtetit të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

“Kjo tregon qartë që organet e drejtësisë, duke arrestuar në mënyrë të jashtëligjshme e skandaloze Dardan Molliqajn, është vënë në shërbim të pushtetit të Kurtit”, thuhet në reagimin e PSD-së në rrjetin social ‘Facebook’.

Këta të fundit, thonë se arrestimi i Molliqaj është bërë në mënyrë të jashtëligjshme e skandaloze.

“Ftesat për intervistim, përkatësisht dorëzimi personal i tyre nga ana e Policisë së Kosovës nuk është realizuar në përputhje me Kodin e Procedurës Penale. Privimi i dhunshëm nga liria i Dardanit përbën abuzim me pushtetin nga ana e të gjithë zinxhirit përgjegjës brenda sistemit të drejtësisë”.

Kreu i Partisë Socialdemokrate të Kosovës, Dardan Molliqaj arrestohet nga Policia e Kosovës.

PSD-ja pretendon se urdhërarresti i Policisë është duke u përpiluar tek tash pas arrestimit të tij.

“Arrestimi i tij është krejtësisht joproporcional dhe në shpërputhje me kushtet ligjore për një veprim të tillë. Ky arrestim ka mund të ngjajë sot në çdo kohë”.

PSD shton se, “ai ka qenë në zyrë dhe nëpër takime të ndryshme në Prishtinë përgjatë këtyre dy ditëve. Tash, pasi që është arrestuar, po kuptojmë që urdhërarresti i policisë është duke u përpiluar”.

Partia Socialdemokrate tutje thotë se do i mbajë përgjegjës dhe do ndërmarrë të gjitha veprimet ligjore kundër të gjithë atyre që sonte abuzuan pushtetin e tyre për ta privuar nga liria Dardan Molliqajn.

“Arrestimi i panevojshëm i sotëm është i motivuar politikisht dhe është sulm i drejtpërdrejtë ndaj veprimeve tona opozitare”, përfundon reagimi i tyre.

Anëtari i kryesisë së PSD-së, Dren Kukaj po ashtu përmes një reagimi në ‘Facebook’, ka thënë se është duke qëndruar në stacionin policor ku po mbahet Dardan Molliqaj.

“Nga ajo qe kuptova eshte se i gjithe ai operacion policor eshte kryer pa urdherarrest. Urdherarrestin po mundohen ta shkruajne tash”.

Sipas tij, “nuk ka asgje profesionale ketu. Gjithcka eshte e motivuar politikisht”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore