Kosova

Kosovë: Specializantët e QKUK-së në protestë, të pakënaqur me Qeverinë


Specializantet ne Protesta

Specializantëve të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës nuk u ka mbetur opsion tjetër, veçse dalja në rrugë dhe protestimi.

Gjendja e tyre thonë se nuk po përmirësohet, derisa ndjehen krejtësisht të shpërfillur, meqë ministri i ri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, as nuk po i takon.

Sipas njoftimit të Këshillit të Specializantëve data e protestës tashmë veç është vendosur – 28 janari. Edhe ora e protestës, 10:00.

Ka mbetur vetëm të caktohen detajet e këtij demonstrimi të pakënaqësisë, gjë që, siç kanë njoftuar, do të bëhet në mbledhjen e radhës me 24 janar.

Pakënaqësitë e Specializantëve ndaj MSH-së grumbullohen në pesë pika kryesore, që kanë të bëjnë me pesë pikat që ministria i kishte propozuar për ta.

Megjithatë, problematik mbetet fakti që çështja e specializantëve që punojnë me vetëfinancim (nuk paguhen fare për punën e tyre) nuk do të zgjidhet së paku deri në gusht të këtij viti. Gjithashtu, ende nuk është rregulluar pagesa për mbajtjen e kujdestarive.

Ministri Latifi kur kishte prezantuar vizionin e tij për shëndetësinë në Kosovë ndër pikat kryesore që kishte rrahur ishin pikërisht kushtet e rënda të specializantëve dhe specialistëve.

Ai kishte bërë të ditur se vetë është larguar nga Kosova për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pasi ka pasur mungesë të kushteve për specializim.

“Pse s’po më pyet mua pse kom ikur unë nga Kosova. Unë kam qenë në specializim në Ortopedi dhe nuk kisha mundësi të specializohem. Prandaj kam shkuar në Amerikë”.

“Nëse ne nuk iu krijojmë kushtet specializantëve për punë, nëse nuk e transformojmë edukimin post-diplomik dhe nuk krijojmë specialistë të mirë dhe ata që i krijojmë na ikin”, pati thënë Latifi.

Latifi që përkundër se ministër me orar të plotë, jetën e bën mes Kosovës e Amerikës, ishte kritikuar me akuzat se si mund të menaxhohet një sektor me kaq shumë probleme si shëndetësia duke lëvizur vazhdimisht mes dy shteteve.

Por, kryeministri Albin Kurti, e kishte arsyetuar se, përkundër që jo gjithmonë fizikisht në Kosovë ai punën e bën përmes takimeve online.

planin e Qeverisë së Kosovës 2021/25 nga 60 faqe gjithsejtë janë vetëm katër paragrafë ku flitet për shëndetësinë.

Prioritetet, siç shkruhet në program, janë “Riorganizimi i sektorit të shëndetësisë”, “Cilësia e shërbimeve shëndetësore” dhe “Sigurimet shëndetësore publike”, por teksti është kryesisht në rrafshin dëshiror.

Në asnjë nga pikat nuk ka shpjegime të detajuara, afate konkrete, buxhetet të ndara dhe as elemente të tjera më specifike.

Pjesa është e mbushur me fraza të tilla si: “Do të rishikojmë kornizën ligjore të sektorit të shëndetësisë, me theks të veçantë ligjin për shëndetësinë, me qëllim të reformimit të nevojshëm dhe në hap me zhvillimet bashkëkohore”.

Në ndërkohë Kosova vazhdon të jetë një nga vendet e vetme në Evropë ku qytetarët nuk kanë sigurim shëndetësor. Sistemi i shëndetësisë ende vazhdon të funksionojë kryesisht me njohje, dhënien e mitove mjekëve dhe, për ata që kanë, trajtimin në spitalet private.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore