Lajme

Latifi paralajmëron krijimin e një programi për shëndetësinë – s’do t’i lëmë specializantët të na ikin


Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi.

Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi ka bërë të ditur se është larguar nga Kosova për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pasi ka pasur mungesë të kushteve për specializim.

“Pse s’po më pyet mua pse kom ikur unë nga Kosova. Unë kam qenë në specializim në Ortopedi dhe nuk kisha mundësi të specializohem. Prandaj kam shkuar në Amerikë”.

“Nëse ne nuk iu krijojmë kushtet specializantëve për punë, nëse nuk e transformojmë edukimin post-diplomik dhe nuk krijojmë specialist të mirë dhe ata që i krijojmë na ikin”, deklaroi Latifi.

Ministri, paralajmëroi se për të mos i lënë specializantët të largohen nga Kosova do të krijojnë programin për shëndetësinë.

“Na leni pak kohë dhe kur ta bëjmë programin për shëndetësinë ju thërrasim”.

Ai gjatë një intervistë për agjencinë e lajmeve Ekonomia Online, bëri të qartë se gjatë vitit 2022, prioritet i ministrisë së Shëndetësisë do të jetë sistemi informativ shëndetësor.

Ministria e Shëndetësisë.

“Prioritet do të jetë sistemi informative shëndetësor, trajtimi dhe përgatitja e specializantëve, ngritja e kualitetit pastaj na duhet të kryejmë edhe punë të tjera duke u nisur nga bordet”.

Sipas tij, në menaxhimin e pandemisë, ekzekutivi ka punuar mjaftë mirë.

“Nëse diçka kemi menaxhuar mirë vitin e kaluar është menaxhimi i pandemisë. Fatkeqësisht Kosova ka humbur shumë njerëz afro 3 mijë persona. Prandaj Ministria dhe Qeveria ka menaxhuar shëndetësinë me mjetet dhe personelin shëndetësor në mënyrën më të mirë”, shtoi Latifi.

Ndërsa u shpreh se, “ishalla e gjejmë vitin 2022 shëndoshë edhe nuk kemi raste të mëdha, të vdekjes dhe fatale”.

Ditëve të fundit në Kosovë ka pasur rritje të rasteve me COVID-19, kjo ka bërë që të diskutohet ndryshimi i masave anti-COVID me komitetin për menaxhimin e pandemisë si dhe ministritë e tjera të Qeverisë.

Klinika Infektive.

Këtë e ka bërë të ditur për Albanian Post, këshilltari politik në Ministrinë e Shëndetësisë, Drin Podrimqaku, më shtatë janar.

“Dje është mbajtur takimi i Komisionit këshillëdhënës për masa dhe më pas i Komitetit për Koordinim dhe vlerësimin e situatës me pandeminë COVID-19, ku janë ofruar rekomandimet e ekspertëve shëndetësor në përballjen me COVID-19”, deklaroi Podrimqaku për AP.

Ndërsa, shtoi se masat janë duke u diskutuar edhe me ministritë e tjera.

“Ato po diskutohen me ministritë e linjës dhe hisedarët e tjerë dhe masat do të kalibrohen konform zhvillimit të situatës epidemiologjike”.

Në Kosovë, më shtatë janar Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik në Kosovë (IKSHPK), ka raportuar për zero persona të vdekur dhe 144 persona të infektuar nga COVID-19.

Ndërsa, një ditë më parë, më gjashtë janar në Kosovë kishte 152 raste të reja me COVID-19.

Numri i të infektuarve vjen nga tre mijë e 908 mostra të marra nga Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore