Kosova

Die Weltwoche ironizon: S’keni burgje të lira ku t’i mbyllni emigrantët? Kosova është mëse e lumtur t’iu ndihmojë


Mediumi zviceran Die Weltwoche ka shkruar me ironi për marrëveshjen e arritur në parim mes Kosovës dhe Danimarkës, që kjo e fundit t’i marrë 300 qeli me qira në qendrën korrektuese të Gjilanit.

“Ishin kohët kur Jean Gabin (aktor francez) donte ta kalonte dimrin në burg në rolin e një lypësi, por fatkeqësisht nuk kishte vend në qeli. Kështu ai dimëroi në Cote d’Azur (bregdeti mesdhetar i Francës juglindore”, shkruan mediumi zviceran.

“Sot ai nuk do të kishte shans – të paktën jo në Danimarkë. Të gjitha qelitë atje janë të rezervuara. Kushdo që supozohet të vuajë dënimin me burg duhet të jetë i durueshëm”.

“Kopenhaga po i zhvendos gjithashtu të burgosurit në jug. Jo në plazh, por në burgjet e Kosovës. Aty janë marrë me qira 300 qeli. Nuk duhet të jesh ekspert i sistemit përkatës të burgjeve për të dyshuar se burgu i Ballkanit është më pak i këndshëm se burgu skandinav”.

Sipas Die Weltwoche, Danimarka me këtë marrëveshje dëshiron të gjejë zgjidhje për emigrantët e paligjshëm.

“Danimarka po tregon edhe një herë se si t’i ndalojë emigrantët e paligjshëm, shkruan ky medium. Për ta, një qeli daneze është si një pushim në Club Med rrjet i resorëve luksoze franceze. Por në Kosovë ndihen si në shtëpinë e tyre”.

Ilustrim nga Burgjet e Danimarkes

Ndryshe, Danimarka do të merr me qira 300 qeli burgu në Kosovë për të burgosurit që do të deportohen në fund të dënimit të tyre, njoftoi qeveria daneze.

Projekti, i cili synon të lehtësojë mbingarkesën e burgjeve, do të zgjerojë gjithashtu pronën e burgjeve të Danimarkës me 326 vende midis 2022 dhe 2025, tha në një deklaratë Ministria e Drejtësisë në Danimarkë.

Vitin e kaluar, 350 të burgosur do të deportoheshin në fund të dënimit të tyre.

Popullsia e burgjeve të Danimarkës është rritur me 19% që nga viti 2015, duke arritur në më shumë se 4,000 të burgosur në fillim të vitit 2021 dhe duke tejkaluar 100% të kapacitetit, sipas statistikave zyrtare.

Në të njëjtën periudhë, numri i gardianëve ra me 18% në kombin skandinav me 5.8 milionë banorë, ku të burgosurit me më pak se pesë vjet i shërbejnë zakonisht në burgje të hapura.

“Do të na mungojnë deri në 1000 vende në burgjet deri në vitin 2025,” tha në deklaratë ministri i drejtësisë, Nick Hækkerup. “Me marrëveshjen është rënë dakord që të merren me qira 300 burgje në Kosovë dhe të zgjerohet kapaciteti i burgjeve në Danimarkë për disa qindra vende”, thuhet në deklaratë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore